Tifozët e Spanjës ishin padyshim protagonistët më të mëdhenj jashtë finales së Kievit. Gjatë gjithë ditës së djeshme, para ndeshjes, por edhe gjatë saj, “të kuqtë” pushtuan kryeqytetin ukrainas. Fanela, daulle, shallë dhe festime të panumërta u fotografuan në rrugët e Ukrainës. Tifozët e Spanjës ishin në një numër qartësisht më të madh se ata italianë. Spanjollët kishin mbërritur të organizuar nga të gjitha qytetet e Spanjës. Pothuajse të gjithë kishin bileta, ndërsa kishte shumë pak nga ata që kërkonin një ofertë të fundit në tregun e zi. Birra pafund për spanjollët, të cilët i shndërruan rrugët e Kievit në një festë të vërtetë. Shihej qartë dominimi i tifozëve spanjollë, të cilët e kanë mbështetur shumë skuadrën e tyre edhe në ndeshjet e kaluara të “Euro 2012”, edhe pse kalimi i ndeshjeve të Kombëtares Iberike nga Polonia në Ukrainë e uli disi numrin e tyre. Megjithatë, mbrëmë plot 12 mijë spanjollë kanë qenë të pranishëm në stadiumin e Kievit për të mbështetur skuadrën e tyre, më shumë se katër vjet më parë në Kiev, ku Spanja fitoi Europianin duke mposhtur në finale Gjermaninë me rezultatin 1-0. Duket se kriza ekonomike që ka përfshirë rëndë vendin iberik, nuk ka ndikuar edhe aq te tifozët, të cilët nuk ia kanë lënë mangut asnjëherë mbështetjen përfaqësueses së tyre. Italianët janë treguar kursimtarë, këtë herë.
Femra nudo kundër
pranisë së diktatorit të
Bjellorusisë në stadium
Aktivistet për të drejtat e grave të organizatës “Femen”, kanë zhvilluar dje në Ukrainë një protestë të veçantë kundër presidentit bjellorus, Aleksander Lukashenko. Ky i fundit, i cilësuar si diktatori i fundit europian, pritet të jetë sot i pranishëm në stadium, në Kiev, për të parë finalen e “Euro 2012” mes Italisë dhe Spanjës.
Prania e tij në këtë finale ka nxitur aktivistet e “Femen” të protestojnë në mënyrën e tyre, duke u zhveshur para stadiumit ku do të luhet finalja. Një pjesë e tyre mbanin kapuç mbi fytyrë, shkopinj gome në dorë dhe kishin të shkruar “KGB” në gjoks e në kurriz, pasi këtë emër mban ende Policia Sekrete në Bjellorusi.
Njëra prej tyre kishte veshur pantallona me rripa dhe mbante mustaqe, pikërisht për të ironizuar me pamjen e Lukashenkos.