Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, shprehu lumturinë e tij menjëherë pas ngritjes së trofeut të Euro 2012. “Jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë skuadër që kam. Ishte një ndeshje shumë e bukur dhe një fitore plotësisht e merituar. Tani të gjithë spanjollët duhet të ndiejnë një kënaqësi shumë të madhe. Fituam për veten tonë, por mbi të gjitha për ata tifozë që na kanë mbështetur deri këtu”. Më pas, Del Boske foli për ndeshjen, që nuk pati aspak histori: “Kishim përballë një kundërshtar shumë të fortë, por arritëm t’i mundim sipas mënyrës sonë. E dija që Italia do të sulmonte që në fillim, prandaj u thashë lojtarëve të mi që të bëjnë presing deri te zona kundërshtare. Goli i parë erdhi shpejt, ndërsa i dyti ishte shumë i rëndësishëm për “ta vrarë” ndeshjen dhe kundërshtarin”. Edhe njëherë tjetër Del Boske luajti pa asnjë sulmues të deklaruar dhe kjo i dha të drejtë, duke rikthyer në Spanjë trofeun e fituar në 2008-n: “Nuk mendoj se veprova me kokëfortësi dhe doja që të më dilte e imja, por thjesht bëra atë që unë dhe stafi im mendonim se ishte më e mira. Sigurisht që është shumë e vështirë të luash pa një pikë referimi në sulm dhe mund të duket një budallallëk, por ne e kemi përmirësuar këtë skemë nga ndeshja në ndeshje”. Në fund, trajneri spanjoll foli për Pujolin dhe David Vijën, të cilëve u kërkoi që të zbrisnin në fushën e lojës së bashku me skuadrën për të festuar titullin: “Ishte logjike. Ata erdhën deri këtu për të mbështetur shokët e skuadrës dhe e meritonin këtë kënaqësi. Kujt ia dedikoj këtë trofe? Futbollit spanjoll dhe familjes sime”, përfundoi Del Boske.
Është trajneri më i suksesshëm në botë
Visente del Boske është bërë dje në mbrëmje trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit botëror. 61-vjeçari i lindur në Salamanka fitoi Botërorin e Afrikës së Jugut në 2010-n dhe tani Europianin, duke barazuar gjermanin Helmut Shën, por e ka “parakaluar” përsa u përket trofeve. Del Boske tashmë ka arritur të fitojë gjithçka të mundshme në karrierën e tij si trajner. Dy sukseseve me kombëtaren e Spanjës, i shtohen edhe trofetë e fituar me Realin e Madridit, si për shembull titujt kampionë dhe sidomos Champions League e fituar në 2002-n, në atë finale të famshme ndaj Bajer Leverkusenit. Që kur ka mbërritur te Spanja në vitin 2008, Del Boske e ka drejtuar në 61 ndeshje, duke pësuar vetëm dy humbje në sfidat zyrtare.
Kasijas: Është një moment historik!
Këtë herë, Iker Kasijas nuk e puthi gazetaren dhe njëkohësisht të fejuarën e tij, Sara Karbonero, e cila e intervistoi menjëherë pas finales së fituar. Për “gardianin” e portës spanjolle mjaftoi një përqafim: “Mendoj se ky sukses është për të gjithë talentin dhe cilësitë që kemi ne në skuadër, për ata që kanë punuar për këtë projekt shumë-vjeçar dhe mbi të gjitha për trajnerin tonë, i cili i dha vazhdimësinë kësaj skuadre, me disa ndryshime të vogla. Është momenti më historik dhe më i jashtëzakonshëm në karrierën tonë dhe sidomos për futbollin spanjoll, që i meriton të gjitha këto trofe”, tha Kasijas, i cili shtoi në lidhje me ndeshjen: “Kemi fituar me karakteristikat tona, duke qarkulluar topin dhe duke e vënë në vështirësi kundërshtarin. Një mesazh për spanjollët? Besoj se tani do të jenë shumë të lumtur. Për ne nuk ka qenë shumë e lehtë të arrinim deri këtu. Në gjysmëfinale vuajtëm shumë dhe ndoshta edhe mund të ishim eliminuar. Duhet ta shijojmë këtë moment”.
Hordi Alba - “Ishte Europiani im i parë. Këta futbollistë e kishin bërë më parë historinë, ndërsa tani u bashkova edhe unë me ta. Akoma nuk më besohet. Tani duhet të gëzoj dhe të dëfrehem. Kam fituar një Europian që nuk e prisja dhe gjithashtu jam shumë i lumtur por golin që shënova. Në këto momente dua të kujtoj familjen time, miqtë dhe njerëzit që më kanë mbështetur për të arritur deri këtu. Të gjithë këto ua dedikoj atyre”, tha mbrojtësi spanjoll, i cili sezonin e ardhshëm do të luajë në radhët e Barcelonës.
Ksavi - “Jemi shumë të lumtur, sepse i kemi dhënë një kënaqësi shumë të madhe vendit tonë. Ishte një fitore e merituar dhe ndeshja më e mirë që kemi luajtur në këtë Europian. Tashmë kemi bërë historinë dhe duhet të festojmë. Kjo Spanjë është një skuadër e madhe dhe që mund të fitojë akoma më shumë. “Botërori 2014”? Nëse do të ndihem mirë, do të jem edhe atje. Do të flas me trajnerin dhe do të vendosim së bashku”.
Arbeloa - “Na ndihmoi shumë Italia me lojën që bëri, sepse ata nuk u mbyllën në mbrojtje. Gjithashtu edhe dëmtimi i Tiago Motas e bëri më të lehtë pjesën e dytë për ne. Megjithatë, ishte një fitore e merituar dhe që ua dedikojmë tifozëve tanë”.
Të gjithë i
përulen Spanjës
I menjëhershëm ka qenë reagimi i shtypit europian pas suksesit historik të Spanjës. Dy gazetat më të njohura sportive në vendin iberik, “AS” dhe “Marca”, kanë përshëndetur suksesin e kombëtares së tyre. Një gëzim shumë i madh, që shprehet qartë në titujt dhe komentet e dy gazetave në faqet e internetit. Dëshpërim, por një mbështetje dhe falenderim shumë të madh ka dhënë shtypi italian për djemtë e Prandelit. “Gazzetta dello Sport” dhe “Corriere dello Sport” e cilësojnë si një “humbje të ëmbël” dështimin e mbrëmshëm në finalen ndaj Spanjës.