Katër fitore radhazi pa Karmelo Antonin dhe Amare Staudemajërin. Duhej një imagjinatë e jashtëzakonshme për Niksat ose shumë fat. Ose një përrallë e bukur. Ajo e Xheremi Linit është pa dyshim një "histori amerikane". Ajo që ka arritur ky djalosh në ndeshjet e fundit të skuadrës së Majk D'Antonit (pasi ishte zhytur në stolin e Niksave, më parë në atë të Golden Steitit dhe pasi ishte nxjerrë i pavlefshëm gjatë një prove me Hjustonin) është vërtet diçka që mund të ndodhë vetëm në një kampionat si NBA-ja. Lejkërsat patën vetëm dy herë avantazhin gjatë gjithë ndeshjes: 2-0 dhe 4-3 në fillimin e saj. Më pas nis Lin-shou: 10 pikët në periodën e parë janë vetëm fillimi. Po, sepse Lin thyen rekordin personal me 38 pikë, shënon 11 pikë vetë në periodën finale dhe me trepikëshin e aavantazhit 13-pikësh 5'35" nga sirena ngre në këmbë të gjithë publikun ne "Madison Square Garden". Edhe Kobi Brajant duhet të dorëzohet, së bashku me gjithë Lejkërsat e tjerë. Dhe kur Antoni, Staudemajër dhe Baron Devis të jenë rikthyer në fushë, ndoshta Lin do të jetë arma më shumë e Niksave për të hedhur më në fund atë hap cilësor që pritet prej vitesh, ose më mirë dekadash, për ekipin e metropolit më të njohur amerikan. Një përrallë amerikane, që mund të ketë një fund të denjë për filmat më të bukur hollivudianë...