Zenit Shën Petërsburgu fiton raundin e parë ndaj Benfikës 3-2, duke pasur kësisoj pak më shumë shanse se portugezët për të kaluar në çerekfinalet e Champions League. Ekipi i trajnerit italian Luçiano Spaleti kaloi "luzitanët" pas një ndeshjeje të mbushur me emocione por edhe gabime, sidomos të portierit Zhevnov. Spaleti hyri në këtë sfidë pa lojtarin e tij më cilësor, Dani, dhe një portier magjik si Malafeev, heroi kryesor i kualifikimit në fazën me eliminim direkt pas pritjeve në Portugali në ndeshjen vendimtare ndaj Portos. Dhe në mungesën e tij portieri i dytë, Zhevnov i dhuroi dy gola ekipit të Benfikës. Pikërisht, dy golat janë dhurata më e mirë për ekipin e Lisbonës, kryesuese e kampionatit portugez me tetë fitore radhazi dhe asnjë humbje këtë sezon. Themi pikërisht, sepse me një fitore minimale 1-0, ose dhe 2-1 ata do të kualifikoheshin në çerekfinale, ndërsa ëndrra e Spaletit për këtë fazë të vonshme të Europës prestigjioze do të mbaronte. Por Zeniti sivjet është treguar tamam heroik në trasferta, sidomos ato të Donetskut me Shakhtarin dhe atë të Oportos me Porton, kështu që çdo diskutim për kualifikimin shtyhet në ndeshjen e ardhshme.