Milani dominoi ndaj Arsenalit duke hipotekuar çerekfinalet e Champions Leaague, por trajneri Masimiliano Alegri qëndron me këmbët fort në tokë. "Duhet ende të shkojmë në Londër", tha ai. "E di që fitorja 4-0 është fantastike dhe më shumë se shpresëdhënëse për të kaaluar turin, por sfidaa është 180-minutëshe dhe ndeshja e dytë nuk do të jetë një formalitet". Megjithatë Alegri fërkon duart sepse triumfi në Europë tregoi se Milani nuk është në krizë: "Po rikuperojmë të dëmtuarit. Pashë shpirtin e duhur në fushë, duke mos i dhënë asnjë hapësirë kundërshtarëve. Sigurisht, nuk dua të dukem i pangopur, por ndoshta mund të kishim shënuar më shumë gola nëse do të kishim shfrytëzuar më mirë kundërsulmin". Një mendim të tillë kishte edhe administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani. "Duhet të kishim fituar më thellë", tha ai. "Kjo ndeshje ishte si ajo 3-0 ndaj Mançester Junajtidit para disa viteve, por jemi të kënaqur që më në fund treguam nivelin tonë maksimal në Europë".
Venger: Munguan në çdo drejtim
Sytë poshtë dhe një zë thuajse i ngjirur. Arsen Venger e komenton thuajse duke qarë humbjen shkatërruese 4-0 të Arsenalit të tij në fushën e Milanit, një rezultat ku që kompromenton çdo shpresë për të kaluar në çerekfinalet e Champions Leaague dhe pse është sfida e dytë për t'u luajtur. "Ishte një Milan i bukur, komplimenta", thaa trajneri francez. "Por besoj se ne ishim shumë të varfër. "Në këtë takim dhuruam një paraqitje të shpifur, munguan cilësisht, ishim tërësisht jashtë forme, jo kompaktë në mbrojtje por edhe në sulm. Në golin e parë të Milanit gabuam rëndë dhe, edhe pse patëm dy raste për të shënuar në pjesën e dytë, Milani, ndryshe nga ne, diti të mbrohej mirë". Kthimi në Londër duket një formalitet edhe për Vengerin: "Fitorja 5-0 më duket e pamundur, por premtoj që do të luajme më mirë se në "San Siro". Këtu ishim të turpshëm".
Ibra "ulërin" i lehtësuar
Zlatan Ibrahimovip nuk fsheh gëzimin pas fitores dërrmuese 4-0 ndaj Arsenalit në ndeshjen e parë të 1/8-ave të finaleve në Champions League. "Të fitosh 4-0 ndaj Arsenalit nuk ndodh çdo ditë. Luajtëm shkëlqyeshëm, dhe pse askush nuk priste të dhuronim një paraqitje të tillë. Nuk diskutohet që mund të kishim shënuar edhe ndonjë gol më shumë, pasi në Europë ata janë të rëndësishëm. Por mendoj se shkojmë në Londër superfavoritë me këtë rezultat. Siç e thashë edhe këto ditë Champions nuk është një fiksim për mua, por duke qenë një trofe që më mungon do të doja ta fitoja, sidomos me Milanin".
MILAN-ARSENAL 4-0
Shënues: Boateng 15’, Robinjo 38’, 49’, Ibrahimoviç 78’ (p)
E mërkurë, 15 shkurt 2012, ora 20:45, në “San Siro” të Milanos
Milan: Abiati; Abate, Mekses, Silva, Antonini, Sedorf (Emanuelson 57'), Van Bomel, Noçerino, Boateng (Ambrozini 69’), Ibrahimoviç, Robinjo (Pato 84'). Tr.: Alegri.
Arsenal: Shezni; Sanja, Koshielni (Zhuru 89'), Vermalen, Gibs (Okslleid-Çembërllein 67'), Song, Arteta, Uallkot (Henri 46'), Ramsei, Rosiçki, Van Persi. Tr.: Venger.
Gjyqtar: Kasai (Hungari)
Gjatë rrugës që të çon në Mynih, Milani gjen mbrëmjen perfekte, duke shkatërruar Arsenalin me një paraqitje me “P” të madhe, ndoshta e kohëve të shkuara, nëse merren ndeshjet tre viteve të fundit në Champions. Një provë korale me një drejtor orekstre për çdo repart: Silva (mbrojtje), Van Bomel (mesfushë) dhe Ibrahimoviç (sulm). Rezultati, 4-0. Si të thuash, pa ngritur shumë zërin, që gjysma e punës është kryer. Ndoshta edhe Masimo Alegri, trajneri kuqezi, nuk e kishte menduar se të tijët do të praktikonin si me laps dhe vizore të gjithë këshillat e tij. Sakrificë dhe asnjë dorëzim, edhe kur rezultati të linte mundësi të toleroje disi. Një mbrëmje për t’u vënë në kornizë, duke nisur nga eurogoli i Boatengut (kthim fantastik i ganezit), dopieta e Robinjos (më në fund vendimtar) dhe, në fund, qershia mbi tortë, penalltia e Ibrës, e fituar nga po vetë suedezi
“Big Ben” Boateng – E si mund të mungonte njeriu që në teorinë shkencore të krijimit të tokës nga shpërthimi “Big Ben” përfaqëson pikërisht nofkën e tij, veç “Princit”? Dhe, goli, ndoshta rastësi e fatit, ka ardhur pikërisht ndaj ekipit të Londrës, aty ku qëndron edhe ora e madhe “Big Ben”. Boa, ai që i mungonte prej shumë kohës kuqezinjve, kthehet pas një muaji dhe shënon një eurogol, “të zakonshmin” që jemi mësuar të shohim, pas atij ndaj BATE-s dhe Barcelonës. Një diagonale fantastike, pas një stopimi perfekt dhe kthese. Për portierin e Arsenalit ka qenë e pamundur të arrijë dhe e ka parë brenda portës. Dhe, të mendosh që kuqezinjtë humbasin Sedorfin, që dëmtohet. Por, në vend të tij, shenjë e fatit ndoshta, zbret në fushë Emanuelson, që në rolin e tij natyror tregon se është një lojtar me vlera.
Presing asfiksues – Metoda e Alegrit dihet dhe është presingu i lartë i mesfushorëve, por Milani është një makinë perfekte dhe nuk i lë Arsenalit asnjë frymëmarrje, si në mesfushë, ashtu edhe në mbrojtje. Van Persi nuk e sheh thuajse fare topin në pjesën e parë, pasi Tiago Silva është një gladiator.
Ligji “Ibra” – Në Champions nuk është vendimtar, i mungonë Kupa për të qenë ndër më të mëdhenjtë e shumë të tjera. i karikuar me kritika, Zlatan Ibrahimoviç zhvillon një nga ndeshjet e tij më të mira. Në të 21’ i shërben Noçerinos një top fantastik, por gjuajtja e mesfushorit del ngjitur me traun. Por, nuk ndodh kështu kur Ibra, pasi lë në vend mbrojtësin Koshielni, pason mrekullisht për Robinjon, që dy hapa larg portës realizon 2-0. Mund të jenë tre që në pjesën e parë, por gjuajtja e Boatengut përfundon jashtë. i bukur edhe aksioni i Antoninit, që prezantohet përballë portierit kundërshtar, por Shezni e pengon.
Robinjos “bis” – Arsen Venger, që në 45 minutat e para kishte zëvendësuar Koshielnin me Zhurunë, rikthehet te taktika e vjetër dhe hedh në fushë Henrinë në vend të Uollkotit, një fantazëm. Por janë sërish kuqezinjtë ata që “godasin” me “top” dhe jo londinezët. Ibra e Robi duetojnë dhe braziliani, duke përfituar nga rrëshqitja e Vermalenit, godet sërish, për trisin. Milani e ul ritmin, ndërsa Abiati bën mrekullinë te gjuajtja e Van Persit, në prekjen me thembër të Henrisë. Në fund, Ibra vendos të bëjë gjithçka vetë dhe Zhuru e pengon në zonë. Penallti dhe gol! Katër mund të mjaftojnë.