Kupa për nderimin e figurave, që kishte emrin e Pietro Meneas, ndërsa ka patur dhe prezencën e rekordmenit europian të kërcimit së gjati, Robert Emian, apo dhe asaj të vrapimeve të mesme, Vera Nikoliç, është kthyer në një festë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Jo thjesht se ishte aktiviteti i parë ndërkombëtar në pistën me tartan në kryeqytet, porse kështu Shqipëria ka vërtetuar se pas Kampionatit Botëror të Vrapimit në Mal, tashmë mund të marrë dhe iniciativa më të forta në atletikën shqiptare. Madje premtimi më i madh është i Gjergji Rulit: “Nëse vitin tjetër nuk sjell Karl Ljuis dhe Bob Bimen, qofsha burrë i poshtër...!”. Në aktivitetin e djeshëm janë mbledhur pesë përfaqësuese Shqipëria, si vend pritës, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bullgaria. Ka munguar Turqia, ashtu siç ka munguar dhe San Marino e Malta. E megjithatë aktiviteti është zhvilluar, ndërsa të gjithë kanë ikur të kënaqur dhe me përshtypjet më të mira nga Shqipëria.
Gara
Kjo Kupë për nder të Pietro Meneas ka sjellë në Shqipëri fotofinishin, që do të thotë se kanë dalë jashtë përdorimit kronometrat e dorës. Në përgjithësi kohët janë të pëlqyeshme, ndërsa Serbia dhe Bullgaria kanë dominuar pjesën më të madhe të garave. Po kështu kanë fituar dhe Maqedonia e Kosova. Përsa i përket atletëve tanë, të paktën dhe sipas trajnerit Taulant Stërmasi, jo vetëm Luiza Gega, por dhe Admir Bregu ishin për rezultate pozitive, deri në rekorde kombëtare. Porse Luiza Gega ka qenë vetëm dy sekonda larg normës, jo vetëm sepse dikush i ka prishur ritmin, duke i dalë përpara në xhiron e parë, por era ka bërë të vetën. Kurse Bregu nuk ka mundur të jetë në rezultatet e tij më të mira as në 100 metra, teksa ishte i dyti, por as në kërcim së gjati, të cilën ia mori Rei Toska. Ndërkaq ka rritje në rezultat Dorina Myrto, ashtu sikurse përsëri ka luhatje Bajram Muço në 110 metra me pengesa. Po kështu me luhatje janë paraqitur dhe të tjerët, ndonëse për specialistin e atletikës shqiptare, Sokol Morina, duhen marrë të mirëqena kohët me fotofinish, jo ato me kronometra dore. Përfundimisht Kupa “Pietro Menea” tashmë ka përfunduar me sukses, në një kohë që atletikën shqiptare e presin të tjera veprimtari më të mëdha, si në Shqipëri, ashtu dhe jashtë saj.
Gjergj Vyshka
“Qemal Stafa”, për herë të parë dritat për atletikën
Mitingu ndërkombëtar i atletikës në Tiranë i ka dhënë mundësinë këtij sporti në vendin tonë që të hapë dritat për herë të parë për “Mbretëreshën”. Duke i dhënë të gjithëve kështu ndjesinë e një aktiviteti ndërkombëtar, që më së shumti, nëse do të certifikohet nga IAAF, mund të jetë i përvitshëm në Tiranë. Një aktivitet, i cili është sponsorizuar nga uji “Spring” dhe “Lipton”, por që pati mbështetjen e të gjithëve. Jo më kot Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përfaqësuar nga Arjan Konomi, Violeta Shqevi dhe Uvil Zajmi (më së shumti janë në terren sa herë ka aktivitete madhore ndërkombëtare në Tiranë), ishte e gjitha në këmbë. Po kështu dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, që është përfaqësuar me Sekretarin e Përgjithshëm, Stavri Bello. Në tërësi një aktivitet mbresëlënës, që ka vërtetuar se atletika shqiptare dhe drejtuesit janë të zot dhe për veprimtari më të mëdha ndërkombëtare.
Antidopingu, nën kontroll sportistët
Antidopingu shqiptar, me në kryer Mel Ostrenin, dje ka qenë në krye të detyrës, teksa ka marrë thuajse të gjithë atletët që kanë dalë në vendin e parë. Si nga Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e Kosova, por dhe Shqipëria, të gjithë kanë kaluar në kontrollin antidoping, ndërsa tani analizat e tyre do të çohen në një laborator më të specializuar, që do të nxjerrë përfundimet nëse janë pozitiv, apo negativ.
Nderimet
Pietro Menea, “Nderi i Qytetit të Durrësit”
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dje paradite ka pritur në një takim legjendën botërore të atletikës, Pietro Menea, që ndodhej në Shqipëri me rastin e Kupës me emrin e tij. Në këtë takim, kryebashkiaku Vangjush Dako, pasi ka zhvilluar një bisedë miqësore me rekordmenin italian, e ka nderuar Pietro Menean me titullin “Nderi i Qytetit të Durrësit” me motivacionin “Njeriu që me vullnetin dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm vërtetoi se energjia njerëzore nuk ka kufij”. Kryebashkiaku Dako ka biseduar me rekordmenin Menea edhe në lidhje me bashkëpunimet e mundshme midis Durrësit dhe qyteteve italiane, kjo përsa i përket zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme sportive e kryesisht atyre të atletikës. Menea, nga ana e tij, pasi ka shprehur kënaqësinë për mikpritjen që ju ofrua në Durrës, deklaroi se midis dy vendeve tona do të ketë bashkëpunime të frytshme sportive dhe se Shqipërisë nuk i mungojnë talentet edhe në sportin e atletikës. Menea i ka dhuruar kryebashkiakut Dako bluzën sportive, në të cilën ishte stampuar rekordi i tij në 200 metra, si dhe një libër që pasqyron karrierën e famshme sportive të legjendës së atletikës.
Bleda Kadiu
Presidenti i Republikës,
“Medalje Mirënjohje”, ish-rekordmenit të Botës
Pietro Menea, ish-rekordmeni i Botës në 200 metra, ndër takimet e shumta në vendin tonë ka patur një të veçantë me presidentin e Republikës, Bamir Topi. Ky i fundit e ka dekoruar atletin e madh italian me “Medalje Mirënjohje”, me motivacionin “Për vlerat dhe kontributin e dhënë si ish-rekordmen i botës në atletikë dhe si ideator i Fondacionit “Pietro Menea” i krijuar për të ndihmuar sportin dhe kërkimin shkencor”. Në këtë takim të përzemërt, Menea shoqërohej nga ambasadori italian në Tiranë, Masimo Gaijani, si dhe drejtuesit më të lartë të atletikës shqiptare, presidentin Ruli dhe sekretarin Dionisi. Pasi falënderoi Kreun e Shtetit për pritjen e rezervuar, Menea shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe mirënjohjen e thellë për nderimin dhe vlerësimin e lartë që po i bëhet nga vendi fqinj me Italinë, Shqipëria mike, nga instancat shtetërore të saj, sportdashësit e shumtë dhe atletët shqiptarë. Me këtë rast, legjenda botërore e Atletikës, Menea vuri në dukje angazhimin personal maksimal, jo vetëm për të dhënë të gjithë përvojën e duhur në drejtim të zhvillimit të sportit të bukur dhe të vështirë të atletikës, por dhe kontributin e rëndësishëm për shtimin e bashkëpunimit dypalësh të institucioneve sportive shqiptare me ato italiane. Presidenti Topi, nga ana e tij, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të zhvillimit të sporteve të ndryshme në vendin tonë, duke i cilësuar shqiptarët si popull sportdashës, nënvizoi se në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve të gjithanshme mes Shqipërisë dhe Italisë, janë të rëndësishme edhe organizimi i takimeve dhe aktivitete të përbashkëta në sportin e atletikës, për të rritur mundësinë që dhe Shqipëria të përfaqësohet dhe të nderohet me vlerësimet e niveleve evropiane, e pse jo botërore.
Rezultatet teknike
Meshkuj
110 m/p
1) Milev Valkanov (Bullgari) 14”66
2) Bajram Muça (Shqipëri) 15”52
3) Dorjan Idrizi (Shqipëri) 16”41
100 m
1) Luka Rajkiç (Mali i Zi) 10”96
2) Admir Bregu (Shqipëri) 11”10
3) Elsid Dizdari (Shqipëri) 11”24
800 m
1) Astrit Kryeziu (Kosova) 1’50”83
2) Nemanja Kojiç (Serbi) 1’51”86
3) Musa Hajdari (Kosova) 1’53”10
200 m
1) Luka Rajkiç (Serbi) 22”13
2) Elvetin Meti (Shqipëri) 22”52
3) Gjergji Shtëpani (Shqipëri) 22”97
1500 m
1) Ivan Popov (Bullgari) 3’56”30
2) Pjetër Ndoji (Shqipëri) 4’01”00
3) Jasmin Ljajiç (Serbi) 4’03”37
Së gjati
1) Rei Toska (Shqipëri) 7.11 m
2) Admir Bregu (Shqipëri) 7.06 m
3) Dragoje Rajkovië (Serbi) 6.97 m
400 m
1) Milosh Raoviç (Serbi) 48”20
2) Kristian Efremov (Maqedoni) 50”06
3) Rosen Ivanov (Bullgari) 50”70
Femra
100 m/p
1) Elena Miteva (Bullgari) 14”65
2) Rosana Arsovska (Maqedoni) 18”23
100 m
1) Valbona Selimi (Maqedoni) 12”31
2) Ivana Rozhani (Maqedoni) 12”86
3) Ana Burda (Shqipëri) 12”94
800 m
1) Maria Stamobojiç (Serbi) 2’09”27
2) Frosina Ristovska (Maqedoni) 2’32”59
3) Anxhela Xhafa (Shqipëri) 2’43”22
200 m
1) Brixhilda Qose (Shqipëri) 26”05
2) Marina Ramadani (Shqipëri) 26”53
3) Drita Islami (Maqedoni) 27”27
1500 m
1) Luisa Gega (Shqipëri) 4’11”34
2) Amera Terçiç (Serbi) 4’25”64
3) Sladjana Perimoviç (Mali i Zi)4’28”31
400 m
1) Kalcanin Bojana (Serbi) 57”69
2) Hristina Ristevska (Maqedoni) 59”41
3) Neda Gorenca (Shqipëri) 1’09”26
Së gjati
1) Aleksandra Pasevska (Maqedoni) 5.15 m
2) Dorina Myrto (Shqipëri) 5.04 m
3) Valbona Selimi (Maqedoni) 4.68 m