Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka mbledhur Federatat e sporteve individuale për Lojërat e Mesdheut “Mersin 2013”. Në këtë takim kanë qenë drejtuesit e atletikës, çiklizmit, notit, mundjes, peshëngritjes, boksit, qitjes, xhudos dhe taekondosë. Ashtu siç kanë qenë të pranishëm dhe anëtarët e Komisionit Teknik, Bujar Shehu dhe Astrit Hafizi. Mbledhja është drejtuar nga sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, që ka patur përkrah kryetarin e Komisionit Teknik, Viron Bezhani, dhe drejtorin e sporteve në MTKRS, Vasil Bici. Sipas njoftimit zyrtar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, mbledhja ka shërbyer për një sensibilizim të Federatave Sportive në mënyrë që në kalendarin e tyre sportiv të përfshijnë dhe pjesëmarrjen në Lojërat e Mesdheut “Mersin 2013”. Madje një propozim i kryetarit të Komisionit Teknik të KOKSH, Viron Bezhani, që Federatat të përcaktojnë një pjesë të buxhetit për Mesdheun nga granti që marrin në MTKRS, duket sikur u thuhet “hajdeni në Turqi me paratë juaj”. Megjithëse qoftë KOKSH, por dhe drejtori i sporteve në MTKRS, Vasil Bici, kanë marrë angazhimin për një mbështetje të të gjitha sporteve që marrin pjesë në Lojërat e Mesdheut. “Madje ne do t’i shohim si prioritet të gjitha sportet që do të marrin pjesë në Lojërat e Mesdheut, duke i dhënë rëndësi që nga fondi grant për vitin 2013. Mbështetja jonë do të jetë e pakursyer, në mënyrë që të kemi një delegacion më të madh se sa në Peskara 2009”, ka thënë Bici, kurse Federatat janë angazhuar të marrin pjesë, por që problemi dhe shqetësimi i tyre më i madh, gjithnjë sipas njoftimit që ka dhënë zyra për shtyp e KOKSH, është ana financiare.
Mersini, trampolinë për 2016-ën
Gjithsesi për një angazhim më të madh të të gjitha palëve është kërkuar një bashkëpunim ndërinstitucional, kurse sekretari i përgjithshëm i KOKSH, Bello, do të nënvizonte: “Jemi në kohë të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshme për një pjesëmarrje me objektiva të qarta në rezultatet që do të arrijmë në këto Lojëra Mesdheu. Prandaj, kërkohet që Federatat sportive fillimisht të konfirmojnë nëse dëshirojnë të marrin pjesë, apo jo. E nëse po, nga ana e tyre duhet të fillojnë të përcaktojnë sportistët cilësorë me qëllim që të kemi një panoramë të qartë të atyre që do të marrin pjesë në Lojërat e Mesdheut. Në bashkëpunim me KOKSH, MTKRS dhe Federata t’iu ofrojmë këtyre sportistëve kushte më të mira dhe përgatitje të duhur në mënyrë që ne të pretendojmë nga rezultatet e tyre. Pavarësisht kushteve financiare, ne si KOKSH, në bazë në mundësive tona, do të bëjmë të mundur pjesëmarrjen në këto Lojëra. Por kërkojmë që sëbashku me MTKRS edhe Federatat të bashkëpunojmë për të patur rezultate dhe përfaqësim dinjitoz në Mersin”, nënvizoi Bello. Ndërkohë kryetari i Komisionit Teknik në KOKSH, Viron Bezhani, i ka sensibilizuar drejtuesit e Federatave që Lojërat e Mesdheut “Mersin 2013” duhet të jenë një trampolinë e mirë për Lojërat Olimpike “Rio de Zhainero 2016”.
Angazhimet
Gjithsesi ky ishte një hap i parë, ndërsa në shtator parashikohet një tjetër takim me drejtuesit e Federatave, ndërsa do të ngrihet dhe një grup punes mes KOKSH, MTKRS dhe institucioneve sportive për të koordinuar veprimet për një përfaqësim dinjitoz në Mersin 2013.
Lojërat kolektive do ta
diskutojnë në forume për
të shkuar në “Mersin 2013”
Në fakt, mbledhja për të marrë pjesë në Lojërat e Mesdheut “Mersin 2013” ka nisur që të premten e kaluar, teksa është bërë një takim paraprak me sportet kolektive. Në këtë takim kanë qenë sekretarët e përgjithshëm të Federatave Shqiptare të Basketbollit (Korab Llazani), Volejbollit (Leonard Tase) dhe Hendbollit (Kujtim Trasja). Të tre këta drejtues nuk është se kanë thënë “jo” pjesëmarrjes në Lojërat e Mesdheut “Mersin 2013”. “Propozimi im – thotë Llazani – ka qenë i atillë që ne pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare do ta diskutojmë në forumet drejtuese, të cilat do të vendosin nëse duhet të shkohet apo jo. Por gjithnjë në kushtet kur të na vijë me shkresë zyrtare në KOKSH kërkesa për të marrë pjesë në Lojërat e Mesdheut”.
33 medalje
ka marrë Shqipëria në shtatë pjesëmarrje të Lojërave të Mesdheut, që nga 1987-ta, duke numëruar 5 ari, 15 argjendi, 13 bronxi.