Në stërvitjen e djeshme të pogradecarëve kanë qenë të pranishëm një numër i konsiderueshëm tifozësh. Ata kërkojnë fitore në takimin e nesërm, çka do t’i jepte ekipit një avantazh të rëndësishëm kundër ndjekëses më të afërt, Apolonisë. Në këtë takim nuk do të ketë mungesa dhe trajneri Çekiçi beson tek suksesi i dytë radhazi në shtëpi. Mbrojtësi i djathtë Kllogjëri, tashmë i rikuperuar, thotë: “E dimë që s’do të jetë e lehtë kundër Bylisit, por në stadiumin tonë askush nuk do të “buzëqeshë” më. Jemi të gjithë në dispozicion të trajnerit dhe i takon atij të vendosë se kush do të luajë nga 1’. Qëndrimi në Superligë tashmë varet vetëm nga ne, pra nga rezultatet që do të arrijmë deri në fund. Jemi kampionë të Kategorisë së Parë dhe duhet të tregojmë që nuk ndodhemi aksidentalisht në Superiore”, ka thënë për “Sport Ekspres”, mbrojtësi Kllogjëri.
Shtepërsi
Shqetësimi i vetëm i liqenorëve janë golat e paktë. Në 8 takimet e fundit, liqenorët kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës vetëm 6 herë, pra me një mesatare 0.75 gola për ndeshje. Sulmuesi kosovar Eminhazeri nuk shënon prej 485 minutash dhe ky tashmë është një shqetësim për liqenorët. Nga ana tjetër, sulmuesi Tanushi ka shënuar vetëm një gol, dhe atë në ndeshjen e tretë të fazës së parë. Kjo “shterpësi” golash duhet të marrë fund nëse ekipi i Pogradecit dëshiron të qëndrojë në Superligë.