Ish-futbollisti i Kombëtares është një nga alternativat për të marrë drejtimin e bardhebluve. Tagani sot në zyrën e kryebashkiakut Basha për të gjetur pasardhësin
e Rubios
Sot në zyrën e kryebashkiakut Lulëzim Basha, pritet të përcaktohet se cili do të jetë pasardhësi i Hulian Rubios në krye të stolit bardheblu. Administratori i klubit, Salih Tagani, ka përcaktuar një takim me kryebashkiakun, gjatë të cilit do të diskutohet për emrin e trajnerit që duhet të marrë drejtimin e Tiranës dhe një sërë problemesh që meritojnë zgjidhje. Janë pesë emra që do t’i jepen në tavolinë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili më pas do të japë direktivat e nevojshme, se me cilin prej tyre duhen nisur bisedimet. Maqedonasi Gjorgji Jovanovski dhe kroati Zoran Vuliç, janë dy kandidaturat e huaja. Artur Lekbello dhe Antonin Naçi janë dy shqiptarët që dëshirojnë të marrin këtë rol në krye të bardhebluve, por dje pasdite, kësaj liste i është shtuar dhe një emër tjetër. Bëhet fjalë për ish-futbollistin e Kombëtares Shqiptare, Edvin Murati. 36-vjeçari është një kandidaturë e mundshme për të marrë drejtimin e 24-herë kampionëve. Emri i tij është propozuar dhe është marrë në shqyrtim. Sot, për të do të vendosë kryebashkiaku Basha. Tirana dëshiron t’i ofrojë një projekt ambicioz Muratit, që në krahun tjetër ka dëshirën të nisë një eksperiencë të re si trajner dhe në Shqipëri, bardheblutë janë skuadra që ia mundëson këtë shans.
Arbi Laçi
5
janë kandidaturat e mundshme për të marrë drejtimin e Tiranës. Gjorgji Jovanovski, Zoran Vuliç, Artur Lekbello, Antonin Naçi dhe Edvin Murati janë alternativat, të cilat do të merren sot në shqyrtim në zyrën e kryebashkiakut Basha
lioni: Të premten fillojmë… aty ku e lamë
Zgjidhet apo jo trajneri, skuadra bardheblu me në krye Alban Tafajin vijon punën për të përgatitur ndeshjen e radhës. Pas dy fitoreve të koleksionuara në start, tani duhet gjetur një e tretë. Kapiteni Ilion Lika ka besim se Tirana do t’ia dalë. “Kemi punuar gjatë kësaj periudhe dhe jemi gati për të rinisur edhe një herë aty ku e lamë. Skuadra është përforcuar me disa afrime dhe tani shpresojmë që këta lojtarë të ambientohen shpejt. Pa trajner? Kemi punuar me Albanin gjatë kësaj kohe dhe ai e njeh mjaft mirë ambientin. Jemi më mirë tani dhe na duhet vetëm të marrim tri pikët”, ka deklaruar Lika. Më tej, kapiteni bardheblu ka zhvendosur vëmendjen tek kundërshtari dhe e ka cilësuar si mjaft të vështirë përballjen që Tirana e tij do të luajë nesër në Durrës. “Asnjëherë nuk ka qenë e thjeshtë të luash përballë Teutës, për më tepër në transfertë. Do të ndeshemi më një rival direkt në luftën për titull dhe duhet të tregojmë vlerat tona. Nuk ka ndeshje të thjeshta, sidomos në transfertë. E provuam ndaj Tomorit në javën e parë dhe vuajtëm, gjithashtu hasëm në vështirësi edhe në “shtëpi” ndaj Shkumbinit. Të gjitha skuadrat të krijojnë probleme dhe kjo duhet patur parasysh. Ftoj tifozët të na përkrahin. Me “Fanatics” në tribunë, jemi më të fortë”, ka mbyllur deklaratën e tij, kapiteni bardheblu.
A.L