21 vite më parë, në maj të 1991-shit, kur Flamurtari fitonte titullin e vetëm Kampion në vend, Shpëtim Gjika, asokohe qytetar i Vlorës, sot kryetar i saj, gjendej në Greqi duke bërë një nga punët e zakonshme për të nxjerrë bukën e gojës. Njeriu i cili ishte kacavirrur nëpër mure për të ndjekur nga afër idhujt e tij kundër Barcelonës e Partizanit të Beogradit kishte humbur ëndrrën e fëmijërisë. Të shihte nga afër Flamurtarin duke festuar titullin kampion. Kur Kushta dhe Arapi bënin xhiron e fushës me trofeun në dorë, ai kthehej nga një ditë pune e zakonshme në vendin fqinj me bindjen e plotë se do të vinte dita të ishte në stadium e të prekte dhe ai këtë trofe. Flamurtari ende nuk e ka ngritur sërish.
Ditët në vijim kanë rrjedhur në mënyrë të atillë që Gjika jo vetëm ka pasur mundësi ta shohë trofeun, por pse jo dhe të ndërtojë një skuadër e ta projektojë drejt suksesit. Greqia, stacioni i pothuajse kujtdo shqiptari në ato fillimvite, ishte hedhur pas krahëve, dhe me intuitën dhe formimin e një diplomati, Gjika iu fut ethshëm politikës derisa fitoi aq shumë kredibilitet sa sot qeveris prej 4 mandatesh administratën lokale të qytetit më të bujshëm bregdetar të vendit. Prania e tij në krye të qytetit ka pasur mbi të gjitha një lidhje të ngushtë me futbollin në përgjithësi e Flamurtarin në veçanti. Duhet të jetë në fakt një traditë sportive, sepse për hir të së vërtetës ka ndjekur dhe basketbollin e femrave, një ekip që vijon të jetë i suksesshëm falë mbështetjes së qeverisë lokale.
Prej 10 vitesh, Flamurtari u rikthye financarisht të jetë dominues në futbollin shqiptar, por në asnjë rast nga edicionet e sipërpërmendura nuk arriti dot të fitonte titullin kampion. Në ndonjë rast ka qenë fati, në ndonjë rast pretendimet për një kampionat të manipuluar (kujto para dy sezonesh duelin me Skënderbeun), apo në ndonjë rast si ky i edicionit që sapo u mbyll ku keqmenaxhimi prodhoi një vend të katërt.
Duhet pranuar një detaj, i cili nuk mund të injorohet. Në 10 vitet e fundit, Flamurtari ka dalë vetëm një herë, ka rrezikuar rënien 4-5 herë dhe ka luajtur vetëm dy herë në Kupat e Europave, një herë si fituese e Kupës, trofeu i vetëm serioz i marrë në dekadën e fundit. E gjitha kjo bie ndesh me rekordin prej 35 fitoreve rresht në fushën e saj, megjithatë shifrat janë kokëforta dhe të qarta. Ajo q ë nuk justifikon rezultatet janë shumat e hedhura. Gjatë 10 viteve me një llogari të thjeshtë, sipërfaqësore dhe jo të detajuar, vetëm për kontrata lojtarësh e stafesh mund të jenë shpenzuar diku te 6-7 milionë euro. Shumë për asnjë titull.
Kryetari i i bashkisë, gjithsesi është ende aty. Ai është krenar se së paku në tre sezonet e fundit Flamurtari është një vlerë serioze dhe pavarësisht nxehtësisë së fushës, ekipi prodhon në përgjithësi një lojë të mirë dhe emocionuese. Ka pranuar sistematikisht fajet e vetë shoqërisë, ashtu sikundër gjithashtu nuk ka kursyer asnjë faktor të jashtëm, që ai ka menduar se ka ndikuar në garë.
Sezoni i ardhshëm nuk është si gjithë të tjerët. 100-vjetori i Pavarësisë që teorikisht duhet festuar në ballkonin e Vlorës më shumë se kudo tjetër është një arsye madhore që Gjika t’i japë kënaqësi qytetit, por pse jo dhe vetes. Dhe qyteti dhe Gjika përveçse plazhin apo ndonjë drekë në Llogara kanë një kënaqësi të përbashkët: futbollin. Me një ndryshim, qyteti nuk pranon më të jetë i dyti. Njerëzit duan që ashtu sikundër përpara kutive të votimit konkurrentët e Gjikës janë si ndonjë skuadër e vendeve të fundit në renditje, ashtu dhe vetë Flamurtari të stërfitojë sezonin jubile të historisë së futbollit shqiptar.
Gjika nuk trajnon e nuk luan, por për të disatën herë bëri një tjetër sforco financiare nga arkat e shoqërisë aksionere dhe i dhuroi trajnerit Muça tre sulmues që kushtojnë së bashku 250 mijë euro në vit. Memelli, Muzaka, Soza. Ekipi është, paratë janë paguar, lojtarët janë! Tifozët gjithashtu do të jenë ndërkohë që prozhektorët u ndezën prej më shumë se një muaji. Por këtë radhë me një ndryshim. Gjika nuk mund të humbasë sërish. Sepse do të jetë i vetëm në tribunë. Muça, Muzaka, Memelli e Soza do shkojnë tjetërkund. Gjika duhet të fitojë. Për herë të parë në 100-vjetor!
1
Kampionat ka fituar Flamurtari në historinë e tij. Ka ndodhur
në vitin 1991
1
Kupë ka fituar Flamurtari në vitet që klubin e ka drejtuar kryetari i Bashkisë, Gjika. Kjo ka ndodhur në vitin 2009, teksa mundi në finale 2-1 Tiranën
Quajini pretendentë kryesorë!
Ja cila është skuadra që do të synojë të fitojë titullin kampion në sezonin e ardhshëm, Flamurtari i Vlorës
Në 28 nëntor, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Flamurtari synon të jetë në vendin e parë në klasifikim por realisht dëshira e madhe e vlonjatëve është që vendi i parë t’i zërë në fund të majit 2013, atëherë kur dhe kampionati do të përfundojë. Në fakt kjo skuadër është ndërtuar pikërisht për të arritur këtë objektiv. Ja kush është ekipi që synon titullin pas 22 vitesh.
Porta–Enea Kolici mund të mos jetë portieri më i mirë i kampionatit, por sezonin e shkuar tregoi se në gjashtë muajt e aktivizuar është i denjë për të mbajtur portën kuqezi. Serioz dhe në përgjithësi i saktë.
Mbrojtja-Qendrat janë të dy për t’u duartrokitur sepse si Veliu dhe Rajoviç janë futbollistë të rëndësishëm që garantojnë siguri dhe njëfarë finese për ta shtyrë skuadrën përpara. Krahët gjithsesi nuk janë pika më e fortë. Si Arbri, ashtu dhe Mici nuk janë lojtarët më të kuotuar në treg për këto pozicione.
Mesfusha - Afrimi i Bratiçit dhe konfirmimi i Pezos e ka rritur ndjeshëm forcën e mesfushës. Ajo tani është sigurisht më agresive, ndërkohë që numri 10 i skuadrës, lideri i ekipit është si zakonisht Lena, një futbollist i cili luan sezonin e tij të tretë në Vlorë. Telushi është një alternativë e shkëlqyer për trajnerin Muça.
Sulmi–Patjetër që Muça do luajë me tre sulmues, sepse kjo është skema e tij e preferuar. Problemi tani është që si Muzaka ashtu dhe Soza luajnë sulmues krahu të djathtë. Me siguri Muzaka do të luajë në këtë rol dhe Soza do të jetë në balotazh në të majtë për të fituar një vend me Vukçeviç. Në majën e sulmit pritet të jetë i vetëm Memelli.
Top
Mesfusha dhe sulmi janë repartet më të fortë të kësaj skuadre.
Flop
Krahët e mbrojtjes ende nuk japin garanci për Flamurtari.
Rekordi
Trajneri Muça shpreson që duke fituar titullin me Flamurtarin të jetë i pari teknik që fiton kampionate me tre skuadra të ndryshme.