Çoçlli: Ju tregoj pse doli kampion Partizani, Europa do përforcime!

Nikolin Çoçlli ka qenë sulmuesi numër dy te Partizani kampion në 1992-1993 me 11 gola të shënuar, ndërsa në këtë sezon ai veçon disa pika të forta, por njëherësh mendon se i duhen disa përforcime për t’u paraqitur me sukses në Europë. Mbi të gjitha, Çoçlli thekson se presidenti Demi, trajneri Gega dhe grupi i konsoliduar janë tre treguesit bazë të këtij suksesi që kulmoi me titullin kampion.

TITULLI I 15-të – “Partizani është skuadër e krijuar për të fituar dhe ai titull erdhi si vazhdim i një skuadre  pretendente që luftonte çdo trofe në sezon. Ne fituam edhe Kupën e Shqipërisë dhe Edmond Dosti doli kryegolashënues me 21 gola, ndërsa unë isha i dyti në skuadër me 11 gola”.

TITULLI I FUNIDT – “Pas një periudhe relativisht të gjatë (26 vjet), Partizani pati shumë ulje e ngritje dhe problematika të ndryshme. Por kjo skuadër ishte e ndërtuar për të fituar, e komandoi Superioren, rivalizoi me sukses, kryesisht ndaj Kukësit, por edhe me Teutën e Skënderbeun”.

NDRYSHIMET – “Me ardhjen e Gaz Demit si president në këtë klub të madh, ndryshimet erdhën graduale dhe në rritje, duke kulmuar me këtë titull kampion. Partizani kaloi një periudhë delikate, por në vitet e fundit organizimi, menaxhimi e drejtimi ishin me standarde europiane”.

PIKAT E FORTA – “Ka disa pika të forta ky Partizan kampion dhe unë e përmenda më sipër menaxhimin e drejtimin e klubit. Këto u bashkuan edhe me drejtimin profesional nga trajneri Skënder Gega, i cili ndërtoi një skuadër me bazë grupin, që në sezonet e kaluara kishte çaluar”.

NË EUROPË – “Nëse kjo skuadër e ruan bazën, për t’u paraqitur me dinjitet në Europë i duhen 2-3 përforcime, kryesisht në sulm dhe mesfushë. Trajneri Gega dhe drejtuesit e Partizanit e kanë të qartë se çfarë i duhet skuadrës për të qenë e suksesshme edhe në Europë, punë kjo që ka nisur”.

ME TEUTËN -“Nuk besoj se Partizani do lëshojë në këtë sfidë me Teutën. Në çdo situatë Partizani ka qenë serioz e pretendent, e duke qenë se nuk lëshoi me Tiranën, edhe me Teutën kështu duhet të paraqitet. Do jetë një ndeshje e vështirë, por Partizanin e mendoj fitues”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *