“Çnjerëzore mënyra se si më trajtuan, ia dola falë psikologut!”

Luis Suarez vazhdon të jetë një sulmues rebel, i cili reagon gjithmonë nga provokimet e kundërshtarëve, madje shpeshherë e nis gjithçka i pari. Një “vrasës” brenda zone, por edhe një simulues i frikshëm.

Për fat të mirë ka hequr dorë nga kafshimi i mbrojtësve, diçka që desh i shkatërroi gjithçka. Në verën e vitit 2014 luhej Botërori i Brazilit. Suarez dhe Kielini nuk kursyen asgjë në duelet e tyre të ashpra në ndeshjen Itali-Uruguaj.

Në një moment sulmuesi nuk duroi më dhe thirri dhëmbët në ndihmë. Rast i përsëritur, më parë kishte kafshuar Ivanoviç të Çelsit. Nëntë ndeshje pezullim me Uruguaian dhe katër muaj pushim absolut ishte dënimi për të.

Suarez sapo ishte transferuar te Barcelona, por duhej harruar prezantimi dhe sezoni me ekipin e ri do të niste në janarin e ardhshëm. 32-vjeçari ka vuajtur shumë gjatë asaj periudhe. Në një prononcim për “Fox Sport”, bomberi i ekipit katalanas rrëfen që i është dashur të marrë ndihmën e psikologëve, të cilët e ndihmuan të linte pas krahëve atë episod fatkeq.

Gruaja më pyeste se çfarë kishte ndodhur dhe un i përgjigjesha se ishim përleshur. Nuk e pranoja realitetin dhe ky ishte gabimi më i madh. I kërkova ndihmë një psikologu, i cili më ndihmoi shumë për të pranuar gabimet dhe për t’u rritur. Kam vuajtur shumë, u bëra me të vërtetë shumë keq. Për gruan, fëmijët edhe miqtë e mi.

Ishte çnjerëzore mënyra me të cilën u trajtova. Sapo kisha firmosur me Barcelonën dhe nuk ishte bërë akoma prezantimi. Mendoja se karriera ime kishte marrë fund. Kur drejtuesit e klubit më thirrën për të firmosur kontratën, kam qarë gjithë ditën nga gëzimi”, përfundon Luis Suarez.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *