Çmimi i biletave në Kukës, Skënderbeu ngre krye

0

Bëri bujë ditët e fundit njoftimi i Kukësit në lidhje me çmimet e biletave për finalen e madhe Kukësi-Skënderbeu: 10 mijë lek (të vjetra) bileta më e lirë!

Nga klubi verilindor u shpjegua edhe mënyra se si do të hynin tifozët kuksianë në stadium, me biznesmenë të ndryshëm që do të paguanin biletat e tyre (!), por ndërkohë asnjë fjalë për biletat e Skënderbeut.

Në klubin korçar nuk reaguan menjëherë, ndoshta duke mos e kuptuar ende për çfarë bëhej fjalë, por tashmë ka ardhur edhe reagimi, pasi duket si një tentativë për të frenuar vajtjen e tifozerisë korçare në Kukës.

Me një postim në faqen e vet zyrtare, Skënderbeu proteston në lidhje me politikën e ndjekur nga rivali për titull.

“E kuptojmë shumë mirë mundësinë që të jep një ndeshje e nivelit të tillë për të arkëtuar para për klubin nga shitja e biletave të stadiumit, por nuk mund të kuptojmë konceptin e përdorur për çmimin e vendosur. Kjo është sfidë e rëndësishme për çdo skuadër, por nuk mendojmë që vlera e caktuar, do ta pasurojë sa duhet klubin kundërshtar për atë numër të biletave që i takon tifozëve të skuadrës së Skënderbeut. Një çmim i tillë nuk është aspak normal, duke marrë parasysh edhe faktorët e tjerë që tifozët e Skënderbeut kanë për të udhëtuar nga Korça në Kukës. I bëjmë thirrje ekipit të Kukësit ta rishikojnë edhe një herë këtë absurditet në lidhje me çmimet e biletave, pasi ky trajtim nuk është parë dhe as nuk do të shihet ndonjëherë në Korçë. Gjithçka kërkohet është realitet dhe fair-play, pasi futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit e t’i afrojë pranë stadiumeve, e jo t’i ndajë ata”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here