“Çmenduri” në Gjirokastër, Luftëtari shtang Partizanin e kap Europën

Barazim në Gjirokastër në një takim spektakolar, ku nuk munguan golat dhe një përmbysje e madhe. Një Luftëtar heroik merr një pikë në shtëpi, ndërsa Partizani sheh t’i ikë fitorja nga duart. Një Partizan, që është pothuajse jashtë Europës dhe një Luftëtar, i cili mund të konsiderohet skuadra e tretë që do të luajë në Europë. Në një sfidë me mungesa nga të dy skuadrat, me Telushin të përjashtuar nga grupi dhe Aleksi e Liçaj për vendësit që nuk luajnë dot. Edhe pse të kuqtë, ishin në avantazh me dy gola gjirokastritët kthehen në lojë. Abazaj e Rapo barazpeshuan takimin, duke shtangur Partizanin dhe e përzënë larg vendit të tretë. Vendësit zhvilluan një pjesë të dytë fantastike, ndërsa të kuqtë, ngecën dhe nuk treguan asgjë nga ajo që u pa në pjesën e parë. Me këtë barazim, të kuqtë janë pesë pikë larg vendit të tretë dhe Europës. Gjirokastritët janë shumë pranë objektivit, kualifikimit për në Europa League, për të mos thënë se ata duhet të nisin punën për të ndërtuar skuadrën e Europës.

Pjesa e parë  – është mbyllur me avantazhin e dyfishtë të të kuqve, që u duk se po hakmerreshin ndaj humbjes turpëruese të fazës së dytë. Pas dy mundësive të Bregut në fillim të pjesës së parë, loja po kontrollohet nga të kuqtë, që kalojnë në avantazh falë një supergoli të Asanit në minutën e 26-të të takimit. Partizani kontrollon lojën, që gjithsesi ka shumë kartonë, për shkak të ndërhyrjeve jo korrekte nga lojtarët e të dy ekipeve. Nuk kalojnë as katër minuta nga goli i Asanit dhe të kuqtë dyfishojnë rezultatin me Gojkoviçin. Boshnjaku shtyn topin pas një rrëmuje në zonën e Luftëtarit. Gjirokastritët duken të mpirë e të dorëzuar dhe “kalaja” e tyre, u shembet brenda katër minutave. Me dizavantazhin 0-2 mbyllet pjesa e parë.

Pjesa e dytë – Asnjë nga trajnerët nuk ndryshon gjë në lojë, por në mentalitet janë vendësit që bëjnë diferencën.  Luftëtari hidhet në sulm për të ngushtuar rezultatin. Pas një rasti të Rapos, është Abazaj, i cili kthen në lojë Luftëtarin. Sulmuesi i Anderlehtit, pas asistit të Rrocës shkon në fundore, godet për në qendër, por një hutim i Alban Hoxhës, që lë shtyllën e tij të zbuluar, ndihmon gjuajtjen e Abazajt dhe topi shkon në rrjetë. Stadiumi merr flakë dhe luftëtari beson te përmbysja e madhe. Dhe realisht nuk ka mbaruar ende. Gjirokastritët barazojnë takimin me Rapon, i cili konkretizon një aksion të nisur nga Aurelio e Bregu. 2-2 dhe tani është Luftëtari, që drejton takimin. Edhe pse të dyja skuadrat mundohen me të gjitha mënyrat për të shënuar gol, takimi mbyllet në barazim 2-2. rezultat që i intereson Luftëtarit që tre ndeshje nga fundi i Superiores e sheh veten me një këmbë në Europa League. Sa për Partizanin, barazimi i djeshëm në Gjirokastër është dështimi i radhës i një skuadre që mesa duket e ka mbyllur ciklin e saj.

 

 

.

 

Episodet

2′ – Shumë pranë golit Luftëtari. Bregu lëshon një predhë nga distanca, topi përfundon ngjitur me shtyllën e Hoxhës.

6’- Bregu tenton sërish portën me një goditje dënimi, por sfera kalon shume larg katërkëndorit të Hoxhës.

15’- Partizani kërkon një 11-metërsh. Gjatë një goditje këndi, Belica mbahet në zonë nga një lojtar gjirokastrit, por për gjyqtarin Beqiri nuk ka penallti.

26’ – Asani shënon një gol për manual, sepse pasi merr një top para zonës kalon një prej mbrojtësve gjirokastritë, godet menjëherë dhe gjen shtyllën e djathtë dhe më pas rrjetën e portierit Athanasopulos.

30’ – Faull për të kuqtë, nga e djathta e sulmit të Partizanit. Harkon Progni, ndërsa në rrëmujën para portës gjirokastrite, ia del Gojkoviç të çojë topin në rrjetë.

43′ – Shkurtaj tenton të shënojë me një goditje me kokë, por sfera e gjyajtur nga ai, ndalet në fundore.

51’ – Supergol i Abazajt. Ylli i ri kuqezi, pasi i rrëmben një top Kolumit shkon në fundore, tenton të kalojë topin në qendër të zonës, por sfera gënjen Alban Hoxhën që e prek pak, duke e devijuar, sa për ta çuar në shtyllën e dytë dhe më pas në rrjetë.

53′ – Gjyqtari Beqiri ndal lojën dhe i kërkon kapitenit Beqiri të qetësojë tifozërinë, për shkak të ofendimeve që vinin nga tribuna qendrore e stadiumit. Kapiteni kërkon nga tifozët të qetësohen, ndëra loja nis menjëherë.

70′ – Rapo kthen barazpeshën në Gjirokastër. Në fillim është Aurelio që çon një top në qendër të zonës, Bregu hyn me shpjetësi në zonë godet, por topi ndalet nga një mbrojtës, ndërkohë që topi shkon në këmbët e Rapos, cili nuk heziton dhe gjuan menjëherë duke barazuar sfidën mes gjirokastritëve dhe Partizanit. 2-2

84′ – Pranë autogolit skuadra e Luftëtarit, por për fat të mirë të vendasve, topi ka përfunduar ngjitur me shtyllën.

 

 

Formacionet zyrtare

E mërkurë ora 16:00, stadiumi “Gjirokastra”

Luftëtari-Partizani 2-2

Shënues: Abazaj 51′, Rapo 70′ /Asani 26′, Gojkoviç 30′

Luftëtari: Athanasopulos, O.Rapa, Jakovljeviç, Beqiri, Xhekson, Ramadani, D.Rapo, Abazaj, Rroca(Lamçja 83′), Bregu, Shkurtaj(Aurelio 66′). Trajner: H. Lika

Partizani: Hoxha, Fejzullahu, Gojkoviç, Belica, Kotobelli, Batha, Kulum, Trashi (Sulejmani 86′), Asani (Çani 88′), Bardhi (Mala 74′), Progni. Trajner: K. Dalipi

Gjyqtarë: Ardian Beqiri, Denis Rexha, Alfred Shkreta, Olsi Sokoli

Kartonë të verdhë: Beqiri 21′, Rroca 45’+1′, Jakovljeviç 77′ / Batha 5′, Asani 27′, Mala 32′(në stol), Kotobelli 69′, Kulum 78′

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *