Çmenduri hungareze, Latifi ikën pas Dinamo Zagrebit

“Ylli” i Skënderbeut duket se ka mbyllur marrëveshjen me ekipin e ri. Drejtuesit nuk japin informacion, por përflitet Akademia Pushkash në Hungari. Klubi përfiton 1 milionë euro

Fatjon Rupi

Shpresat e korçarëve për të pasur edhe sezonin e ri në ekip Liridon Latifin u rindezën, kur presidenti Ardjan Takaj tha se ai do të qëndrojë, nëse Skënderbeu kalon në grupet e Europa League. Dhe Skënderbeu është në garë për kalimin në grupe, por shitja e Latifit tashmë është një fakt i kryer. Mesfushori kosovar mungoi dje në stërvitje dhe, me të gjitha gjasat, nuk ka qenë fare në Shqipëri, por në vendin e ekipit të tij të ri. Nga drejtuesit e Skënderbeut nuk jepet asnjë informacion, ndoshta sepse duan që më parë të hidhet firma në kontratë, por duket se tashmë nuk ka më kthim prapa dhe Latifi do t’i shtohet listës së shitjeve të bujshme të klubit korçar.

MUNGESA – Skënderbeu e zhvilloi dje stërvitjen me dyer të mbyllura, sepse ky ishte vendimi i trajnerit Ilir Daja disa ditë më parë. Në fakt, qëllimi nuk ishte për të mbajtur të fshehur mungesën e Latifit, por sepse trajneri kryeqytetas u druhet përfaqësuesve të Dinamos së Zagrebit për të marrë informacion mbi ekipin e tij. Por, teksa të gjithë lojtarët i drejtoheshin stadiumit “Skënderbeu”, u pa që mungonte Liridon Latifi. Nga sa është mësuar, kosovari nuk ka asnjë problem dëmtimi dhe menjëherë mendja të shkon se bëhet fjalë për zhvillime të reja në mbylljen e marrëveshjes së tij me ekipin e shumëpërfolur europian.

DESTINACIONI – Deri dje ka pasur shumë pista të mundshme për Latifin. Sigurisht, ka pasur interesim konkret nga disa kampionate, ndaj dhe shitja e titullarit të Skënderbeut ishte konfirmuar nga të gjithë drejtuesit e klubit. Belgjika, Rusia, Zvicra dhe Turqia mendoheshin të ishin destinacioni i mundshëm i Latifit, por dje është përmendur emri i ekipit hungarez Akademia Pushkash. Drejtuesit e Skënderbeut nuk kanë dhënë asnjë informacion në këtë drejtim dhe ky ekip mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht, aq më tepër që nuk është ndonjë ekip me buxhet të konsiderueshëm në Hungari. Me vetë Latifin ka qenë e pamundur për të komunikuar dje dhe kjo përforcon faktin se ai ka qenë jashtë Shqipërisë. Sot pritet të kthehet në Shqipëri dhe me siguri do të ketë detaje të reja.

1 MILION EURO – Edhe kjo shifër është e pakonfirmuar zyrtarisht, sepse drejtuesit e Skënderbeut nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës, por nga burime dytësore mësohet se bëhet fjalë për një operacion prej 1 milion eurosh. Një shifër e konsiderueshme për klubin korçar, edhe pse ndoshta parashikimet mund të kenë qenë për më shumë, pasi presidenti Takaj kishte thënë se shitja e Latifit do të vinte një rekord në këtë drejtim. Korçarët kanë bërë disa shitje të rëndësishme vitet e fundit, ku veçohet ajo e Piter Olainkës për 1.1 milion euro apo edhe shitja e Bernard Berishës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *