Çmenduri! Falë një “mace”, Saarbrucken e ligës së 4 në gjysmëfinale të Kupës pasi eliminoi ekipin e Bundesligës

Një përrallë e vërtetë është ajo që po përjeton ekipi i ligës së katërt në Gjermani, Saarbrucken. Futbolli është i bukur pasi në të nuk ka të pamundura dhe thyen ligjet e së zakonshmes. Rasti në fjalë, është një mrekulli që kalon çdo imagjinatë.

Saarbrucken është duke luftuar për të shkuar në ligën e tretë në Gjermani, por nga ana tjetër, është edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë. Në mbrëmjen e sotme kanë arritur të eliminojnë me penallti dhe pas një drame emocionuese deri në fund, Dusseldorfin që është pjesë e Bundesligës.

Meritën kryesore këtu e ka padyshim Batz, gardiani gjerman që ishte një “mace” në portë. Kur ndeshja ishte 1-0 për Saarbrucken, ka arritur të presë një penallti në minutën e 84, megjithëse Jorgesen barazoi në minutat e fundit.

Më pas të gjitha vlerat e tij Batz do t’i shpaloste te ruleta ruse, atje ku Saarbrucken ka fituar 7-6 ndaj Dusseldorf. Jo pak, por 4 penallti ka arritur të presë portieri gjerman, pa përfshirë këtu edhe rastin e minutës së 84, për t’i dërguar në 5 në total. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *