Ç’kurorëzohet Krasniqi, Uldedaj mbron me sukses titullin

Boksieri shqiptar Robin Haxhi Krasniqi nuk ka mundur të mbrojë titullin e tij si kampion i peshave super të mesme (deri në 76 kg) të konfederatës “EBU”. 32-vjeçari u mund nga gjermani Shtefen Hertel me vendim unanim 112-117, 112-116, 113-115.

Moment nga dueli Krasniqi (m)- Hertel

Fituesi i duelit u shpreh i gatshëm për një përsëritje të përballjes në rast se Krasniqi do të jepte aprovimin. Në intervistën e dhënë në përfundim të përballjes, Krasniqi u shpreh se Hertel e meritonte fitoren, pasi e tregoi qartë se ishte boksieri më i mirë në ring. Një moment vendimtar i takimit, ishte një çarje në vetull që Krasniqi pësoi që në raundin e parë, diçka që vetë boksieri e pranoi se e kishte të pamundur të shikonte me syrin e djathtë.

Në të njëjtin event në Magdeburg të Gjermanisë u ndesh dhe boksieri 21 vjeçar Jyrgen Uldedaj. I riu lezhjan mbrojti me sukses titullin “WBO Youth” në divizionin e peshës “Cruiserweight”deri në (91 kg). Uldedaj mundi kundërshtarin polak Kristof Tvardovski me vendim unanim, 97 – 93, 97 – 93, 97 – 93. Një dëmtim në dorë mund të kishte bërë që lezhjani të linte në mes duelin, por në fund boksieri dhe trajneri i tij vendosën t’i vazhdonin 6 raundet e mbetura, vendim ky që rezultoi i drejtë, pasi Uldedaj fitoi gjysmën e këtyre raundeve edhe pse me një krah të dëmtuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *