“City Express”, Aguero më i miri në histori

0

“Qytetarët” i japin leksion Napolit të Hysajt dhe kualifikohen për më tej. Aguero bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e klubit me 178 gola

Mançester Siti ka treguar edhe njëherë se nuk është rastësisht i pari në Premier dhe i pari në grupin e vet në Ligën e Kampioneve. “Qytetarët” e Guardiolës kanë mundur të fitojnë në një fushë shumë të vështirë, në Napoli përballë kryesuesve të Serisë A 4-2 në një takim spektakolar. Një paraqitje brilante e anglezëve, ku qershia mbi tortë ka qenë goli i tretë për Sitin i shënuar nga Serxhio Aguero, i cili është tashmë golashënuesi më i mirë në historinë e këtij klubi me 178 gola. Argjentinasi ka lënë pas legjendën e “Qytetarëve” Erik Bruk dhe me shumë gjasa nuk do të ndalet këtu. Kapakun e ka vënë Rahim Sterling në minutat shtesë. Bashkë me fitoren, Siti ka siguruar dhe kualifikimin për më tej duke iu bashkuar Paris SG-së dhe Bajernit që kishin prerë biletën një ditë më parë. Napoli ka tentuar me të gjitha mënyrat, por ka gjetur përballë Sitin më të fortë të momentit. Skuadrës së Hysajt i duhet një mrekulli për të shpresuar për një kualifikim të mëtejshëm.

Gola e përmbysje – Sarri kërkonte një “San Paolo” vullkanik dhe ashtu ka qenë. Mbështetje e jashtëzakonshme e tifozëve të Napolit për ekipin që në fushë e nis duke bërë presion në çdo cep. Por Siti nuk duket i trembu nga presioni i vendasve. Gjithsesi falë lojës së shkëlqyer Napoli shpërblehet pas 21 minutash lojë kur Insinje kalon përpara vendasit. “San Paolo” shpërthen, por ndeshja është e gjatë, Siti e Pep nuk kanë ardhur për turizëm në Itali dhe reagojnë menjëherë. Kur sulmuesit duken jashtë loje Siti shënon me mbrojtësit. Otamendi barazon shifrat (34’), teksa me fillimin e pjesës së dytë një tjetër qendër mbrojtës, Xhon Stons kalon në epërsi “Qytetarët” (48’). Napoli reagon menjëherë dhe në minutën e 62-të, Zhorginjo barazon shifrat me penallti.

Aguero “qershia mbi tortë” – Gjithçka nis nga e para, por Siti është një klas më vete dhe Napoli e ka të pamundur t’i rezistojë “Qytetarëve”. Në minutën e 69-të Siti kalon përsëri përpara me Agueron, i cili kalon legjendën Erik Bruk, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e këtij klubi me 178 gola. Dukej se argjentinasi e kishte ruajtur për në skenën e madhe të Champions-it golin e rekordit. Goli i tretë i Sitit gjunjëzon Napolin që nuk ka më forcë reaguese dhe rrezikon të marrë të tjerë gola. Për të mbyllur gjithçka mendon Rahim Sterling në minutën e dytë shtesë, që i jep fitoren e katërt radhazi në Champions Sitit dhe bashkë me të biletën për më tej. Siti është vërtet një tren ekspres që merr përpara gjithçka gjen. Këtë e mësoi dhe Napoli në fortesën e vet.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image