Çipi: Gjyqtarët të paaftë, struktura është e dështuar

0

Elton Nika

Flamurtari është sulmuar nga gjyqtarët edhe në kohë të tjera, kurse kampionati me 4 faza është një dështim, duhet ndryshuar struktura. Ky është konkluzioni i ish-futbollistit legjendar të Flamurtarit, Kreshnik Çipit. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, ai prek situatën aktuale te Flamurtari dhe kërkesën e klubit vlonjat për gjyqtarë të huaj deri në fund. Çipi thekson se Flamurtari gjithmonë është sulmuar nga gjyqtarët dhe FSHF-ja, edhe në kohë, kur ai vetë luante. Situata po përsëritet dhe ish-mbrojtësi i quan “xhaketat e zeza” të paaftë.

– Çipi, si e shihni situatën te Flamurtari, që rrezikon shumë rënien nga Superliga?

– Ndodhemi tri pikë larg vendit, që të mban në Superligë dhe fillimisht duhet të sulmojmë për të arritur pikërisht këtë pozicion. Më pas të shohim çfarë do të ndodhë. Nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse të gjitha skuadrat kërkojnë të realizojnë objektivin e tyre. Me shkallë të lartë vështirësie shoh takimet përballë Kukësit dhe Partizanit, njëra në transfertë dhe tjera në Vlorë. Janë skuadra, që kërkojnë titullin, ndaj është e vështirë, por edhe skuadrat e tjera nuk kanë diferenca të mëdha.

– Flamurtari humbi në Vlorë përballë Skënderbeut. Çfarë mendimi keni për atë ndeshje?

– Do të thosha se është një humbje që rëndon, edhe sepse ndoshta kemi qenë pa fat. Kështu ka ndodhur edhe në takime të tjera të Flamurtarit. Kemi zhvilluar një fazë të tretë të mirë në lojë, por kemi pasus fatin kundër në ndeshje të veçanta, ndaj ka munguar rezultati. Një rezultat pozitiv ndryshon gjithçka te një skuadër për vazhdimësinë dhe Flamurtari e ka vuajtur këtë fakt.

– Pas ndeshjes me Skënderbeun ka pasur protesta të ashpra ndaj gjyqtarëve dhe FSHF-së…

– Nëse do të ndalem te kjo çështje, dua të theksoj se edhe në kohën kur kam luajtur, madje kam edhe fakte, Flamurtari ishte i sulmuar ashpër nga gjyqtarët apo drejtuesit e FSHF-së. Kurse sot mendoj se, veç sulmit, këta gjyqtarë janë të paaftë dhe pa asnjë perspektivë për të bërë përpara në punën e tyre. Janë thjesht të paaftë për këtë punë dhe shumë prej tyre nuk duhet të vijojnë të gjykojnë. Nëse ti si skuadër sulmohesh, këtu nuk i referohem vetëm takimit të fundit, ndikon fort në anën psikologjike. Lojtarët ndikohen negativisht në këto situata, kur shohin që i kanë gjyqtarët kundër. Nuk e themi vetëm ne se gjyqtarët janë të paaftë, por edhe klube të tjera, që e kanë shprehur hapur këtë gjë.

– Klubi ka kërkuar deri në fund gjyqtarë të huaj. A është e mundur kjo?

– Nëse është një kërkesë e bërë nga klubi vlonjat, që merr përsipër edhe kostot financiare, mendoj se FSHF-ja duhet ta marrë në konsideratë një fakt të tillë. Në të kundërt, institucioni i futbollit apo ata që përcaktojnë gjyqtarët, duhet të japin garanci për paanshmëri dhe gjykim të drejtë. Po shohim se gabimet quhen njerëzore dhe shumë herë përmendet një fakt i tillë, ndoshta për të mos fajësuar gjyqtarët. Por duket se këto gabime janë shtuar shumë.

– Janë edhe 8 javë deri në fund. Si e shihni fundin e kampionatit?

– Së pari, doja të theksoja se struktura e këtij kampionati është e dështuar. Duhet ndryshuar sa më shpejt, duke kaluar në një strukturë me 16 ekipe dhe 2 faza. Mendoj se 30 ndeshje janë të mjaftueshme për kampionatin tonë. Katër faza dhe 4 ndeshje me të njëjtën skuadër më duket diçka e pakuptimtë. Duhen 2 faza dhe të shtohet numri i skuadrave.

— Mos ndoshta kjo strukturë ndikon edhe tek aleancat?

– Patjetër që po. Aleancat në kampionatin shqiptar kanë ekzistuar prej kohësh dhe do të ekzistojnë gjithmonë. Madje, në një kampionat me 4 faza, shumë ndeshje të fazës së fundit luhen sa për statistikë nga disa ekipe. Kanë ndikim aleancat e ndryshme dhe ato janë tashmë të natyrshme në futbollin shqiptar.

— A do të mbijetojë Flamurtari?

– E rëndësishme është ndeshja me Luftëtarin, ku duhet patjetër rezultat pozitiv. Janë edhe 8 ndeshje dhe ekipi duhet të dalë sa më shpejt nga kjo situatë. Dhe grupin e ka, po ashtu edhe eksperiencën. Duke nisur nga kjo javë, duhet të kërkojë rezultat maksimal, pavarësisht se Luftëtarin e vlerësoj si një skuadër mjaft të mirë.

— Po titullin, kush e fiton, sipas jush?

— Kam besuar se Skënderbeu ishte diçka më lart për vetë grupin dhe faktin që ka fituar 6 titujt e fundit. Por në ndeshjen e fundit, pavarësisht se fitoi, e kam vënë në pikëpyetje të madhe këtë fakt. Do të jetë një garë e fortë, ku Partizani dhe Kukësi kanë për momentin avantazhin e pikëve. Vendoset ndoshta në javët e fundit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image