Çinari pranon: Largohem, dua të luaj jashtë vendit!

0

Gaspër Marku

Deri më tani te Vllaznia ka vetëm largime. Pas futbollistëve jabanxhinj, shqiptarë dhe të huaj, sepse asnjëri prej tyre nuk pritet të kthehet, tërheq më tepër vëmendjen largimi për në kampionate të huaja i dy shkodranëve Hebaj dhe Çinari. Të dy po përgatiten t’i japin lamtumirën skuadrës së tyre. Rubin Hebaj ka mbyllur gjithçka me klubin slloven Domzhale dhe largimi i tij është formalitet. Por edhe Erald Çinari është në të njëjtën rrugë. Kur talenti shkodran lëshonte sinjalin e largimit nga Vllaznia, në opinionin sportiv nuk është se e morën shumë seriozisht. Pak ditë pas ndeshjes Vllaznia-Tirana, gjatë prononcimit për “Sport Ekspres”, Çinari bënte të ditur se kishte marrë oferta nga skuadra të huaja, por edhe nga kampionati shqiptar. Për interesimin e Partizanit gjithçka është bërë publike më parë, pasi drejtuesit e kuq e kishin vënë në shënjestër. Tani gjërat janë më ndryshe, sepse në lojë janë futur edhe skuadra të huaja. Erald Çinari ka bërë një sezon mjaft cilësor dhe tashmë ëndërron një kampionat të huaj.

MESAZH DREJTUESVE – Që largimi i Çinarit nga Vllaznia është diçka shumë serioze, vërehet në atë që vetë futbollisti thotë: “Jam duke pritur një telefonatë të drejtuesve, për të biseduar për këtë problem”, – shprehet Çinari për “Sport Ekspres”, duke bërë të ditur se telefonatën e pret nga administratori Astrit Gjyrezi. “Drejtuesit e klubit janë vënë në dijeni se jam në largim e sipër nga skuadra kuqeblu. Kam pasur një kontakt spontan me drejtorin sportiv Eugent Zeka dhe i kam bërë të ditur situatën, por takimin e pres me administratorin Gjyrezi. Ky takim është në interes të dy palëve të kryhet në një kohë sa më të shpejtë. Dua t’i shpreh dëshirën time administratorit Gjyrezi dhe shpresoj që ai të më mirëkuptojë në vendimin që kam marrë”, – vijon Çinari.

KROACIA – Në vijim të prononcimit të tij për “Sport Ekspres”, Çinari pohon se për të interesohen disa menaxherë, kryesisht të huaj, të cilët i kanë vënë në tavolinë disa alternativa. Për ofertat nga Superliga, Çinari thotë se nuk e tradhton Vllazninë. Për pistat jashtë ai ndalet vetëm te kampionati kroat dhe pohon se është destinacioni i tij. Për momentin, menaxherët e kanë  rekomanduar të mos e bëjë publik emrin e ekipit të ri.

KONTRATA ME VLLAZNINË – Edhe pse për Çinarin po bëhen gjithë këto interesime, transferimi i tij në kampionatin kroat nuk do të jetë shumë i lehtë. Ai ka një kontratë me Vllazninë deri në vitin 2019. Për lënien të lirë të lojtarit në fjalë, klubi që kërkon Çinarin duhet të derdhë një shumë të caktuar në arkat e klubit kuqeblu. Një gjë të tillë e pranon edhe vete Çinari, kur shprehet: ”Kontrata ime me Vllazninë është deri në mbyllje të sezonit 2018-2019. Gjithsesi, kjo nuk më pengon mua të lëviz, sepse në bisedimet që menaxherët kanë pasur me drejtuesit e klubit kroat, këta të fundit janë shprehur të gatshëm të shlyejnë kartonin tim”. Si do të vazhdojnë ngjarjet për çështjen “Çinari” duhen pritur ditët në vazhdim, më saktë takimi me administratorin Gjyrezi.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image