Cikalleshi: Në Kombëtare, gjithnjë si hera e parë. Unë qëndroj në Superligën turke

0

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare Sokol Cikalleshi është kthyer të jetë pjesë e kuqezinjve, pas një viti plot probleme, herë për shkak të një mosmarrëveshjeje me Panuçin e herë për probleme fizike. Tani Cikalleshi kërkon të rikuperojë kohën e humbur dhe është sulmuesi më ekspert në ekip në këtë moment, ndaj pritet shumë prej tij. Gjithsesi, Cikalleshi ka shumë besim edhe te prurjet e reja në Kombëtare, duke lavdëruar Gurin e Abazajn për hapin gjigant hedhur për sezonin e ardhshëm. Ndërkaq, vetë Cikalleshi është i bindur se Osmanlispori nuk do ta ndalojë që të qëndrojë në Superligë, pas rënies së klubit nga Ankaraja në divizionin e dytë.

“Është kënaqësi që jam pjesë e Kombëtares. Çdo grumbullim për mua është si hera e parë. Me trajnerin ndihem shumë mirë, po punojmë me stërvitje taktike që do na ndihmojë për ndeshjen me Kosovën. Çdo gjë po shkon shumë mirë dhe uroj të vazhdojmë kështu.

“Jo vetëm unë, por gjithë lojtarët mundohemi të japim më të mirën në stërvitje, ndërsa trajneri zgjedh çdo ndeshje formacionin më të mirë. Ka pasur ndryshime në ndeshjet e fundit, të gjithë ne sulmuesit jemi të gatshëm për çdo situatë apo zgjedhje të trajnerit.

“E ardhmja? Merkatoja nuk është hapur ende, ndaj është paksa herët. Osmanlispori tra nga Superliga turke, ndaj e ardhmja është paksa mister. Menaxheri im po merret me shqyrtimin e ofertave. Do të jetë një verë e lodhshme, sepse merkatoja është e tillë. Ka shumë mundësi që të luaj sërish në Superligë, por do zhvillohet një bashkëbisedim i mirë me klubin, sepse duhet gjetur një mënyrë që të kënaqen të gjitha palët. Për të mirën e klubit, ndoshta do të duhet të largohem, por të shohim kur të hapet merkatoja. Kam ende dy vite kontratë me Osmanlisporin, jam profesionist dhe nuk jam nga ata lojtarë që braktisin anijen, unë largohem i fundit, por natyrisht do të jetë vetëm për interesin e përbashkët, nëse largohem. Besoj se do të gjendet marrëveshja që unë të jem pjesë e Superligës turke.

“Është shumë mirë që kampionati shqiptar transferon lojtarë në kampionate të rëndësishme të Europës. Rruga e Gurit është pak a shumë si e imja, moshë e njëjtë, të dy jemi larguar nga Kukësi drejt Europës. Guri e Abazaj janë talente, ashtu si Manaj, që do të vlejnë shumë për të ardhmen. Janë lojtarë me shumë potencial dhe jam i sigurt se do të bëjnë më të mirën.

“Miqësoret? Janë të dyja të rëndësishme. Miqësorja me Kosovën është mjaft interesante, sepse është vëllazërore, por kur të futemi në fushë do të japim më të mirën. Do të jetë një ndeshje e luftuar, me atmosferë shumë të bukur, ku do të kërkojmë fitoren. Me Ukrainën jemi ndeshur para Europianit dhe na mundën, është një favor për ne që jemi përballur një herë dhe këtë radhë do të mundohemi t’i bëjmë më mirë gjërat. Do të jetë një test i mirë për ne dhe trajnerin”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.