Cikalleshi: Në Itali fatin kundër, e kam riparë shumë herë atë ndeshje

0

Si do të ndiheshit nëse, edhe pse impenjoheni në maksimum prej muajsh, askush nuk ju merr në konsideratë dhe ju shpërblen?! Sigurisht që keq, ashtu sikurse është ndjerë edhe Sokol Cikalleshi teksa trajneri Avçi e shihte si sulmues të katërt në skuadrën e tij dhe, kur vinte Kupa e Turqisë, si ato mobiljet e vjetra, i hiqte pluhurin duke i dhënë mundësinë e fushës. Sulmuesi kuqezi, për asnjë moment, nuk u revoltua për këto zgjedhje dhe madje, vendosi që të refuzonte edhe sirenat ruse dhe azere, duke qëndruar në Turqi. Transferim te Akhisar Beledije dhe sërish konkurrenca, këtë herë, me Vaz Te. Por, pas dy ndeshjeve me Shqipërinë, përballë Italisë dhe Bosnje Hercegovinës, siç duket, sulmuesi kavajas është kthyer në Turqi edhe më i fortë. Kështu, i hedhur në fushën e lojës në minutën e 83-të, në minutën e 94 ka gjetur golin që ka prerë këmbët e skuadrës mike, duke çuar shifrat në 2-1, pasi takimi po shkonte drejt barazimit 1-1 me golat e Vaz Te dhe Ajhanit.

Me këtë fitore,  Akhisari ngjitet përkohësisht në vendin e 13 të renditjes me 30 pikë të grumbulluara, duke qëndruar i qetë 10 pikë larg zonës së rënies nga kategoria. Për Bashakshehirin, humbja vështirëson ëndrrën titull, pasi në rast suksesi ndaj Gençlerbirligi, Beshiktashi do të shkonte në +5. Në fund të takimit, trajneri i ekipit të Bashaksehirit, Avçi, ka pranuar se “na mundën tanët! Cikalleshi është huazuar nga ne dhe ishte aktori i kësaj fitoreje të ekipit vendas. Por, duhet ta pranojmë, kështu është futbolli”.

Për “Sport Ekspres”, bomberi kuqezi do të rrëfehej kështu…

Nga humbja e Kombëtares ne Itali, te përballja dhe goli vendimtar sot. Si ka qenë kjo javë emocionalisht?

Ka qenë një javë e ngarkuar me ndeshje dhe për fat të keq ndeshjet me Kombëtaren nuk shkuan ashtu si i kishim planifikuar, për çka më vjen keq. Nëse me Kombëtaren u trishtova, këtu në Turqi si për ekipin, ashtu edhe për mua, çdo gjë shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndodhi ajo që te pyetëm kur shkove te Akisari: gol vendimtar Bashakshehirit. Si u ndjeve, e doje këtë gol?

Ditën e parë që u ktheva në Akisar, pas ndeshjeve me kombëtaren, pësova një dëmtim në kofshë dhe kjo bëri që të mos isha thuajse fare në dispozicion të ekipit. Guxova dhe rrezikova, fola edhe me trajnerin dhe ai më tha që varej nga ecuria e ndeshjes, sepse ekzistonte mundësia që të mos më aktivizonte fare, nëse në fund do të duhej vetëm të mbroheshim nëse ishim në avantazh. Duke parë si po ecte ndeshja, me rezultatin 1-1, trajneri vendosi të më hidhte në fushë dhe siç u pa, ishte zgjedhja më e mirë që u futa. U ndjeva jashtëzakonisht mirë që shënova dhe i dhashë 3 pikë ekipit tim, edhe pse për Bashakshehirin mund të jetë një humbje fatale në garën për titull. Siç e kam thënë edhe më parë, unë jam pjesë e Akisarit dhe do të bëj më të mirën për këtë ekip, ashtu si e bëra edhe në këtë ndeshje, që arrita të shënoja golin e fitores.

Mos ndoshta të mbajnë inat që ndoshta u dogje titullin?

Edhe nëse kjo ndodh, i tillë është futbolli dhe duhet pranuar. Unë jam profesionist dhe më duhet të jap gjithçka për ekipin ku luaj, edhe pse natyrisht jam i huazuar nga Bashakshehiri për 6 muaj.

Ç’të thanë te Akisari pas ndeshjes?

Në dhomat e zhveshjes kishte entuziazëm të jashtëzakonshëm, sepse kjo fitore na duhej shumë. Ishte një fitore e madhe edhe për trajnerin e ri Okan Buruk, i cili e nisi me këmbë të mbarë. Kjo fitore na ka ndryshuar shumë moralisht, por edhe në renditje, ndaj shpresojmë që në ndeshjet e ardhshme të marrim fitore të tjera.

Goli ishte fenomenal, si ndihesh kur kujton topin që nuk hyri në Itali? A do e ndërroje golin sot me atë në Palermo?

Shumë herë e kam parë videon e ndeshjes kundër Italisë dhe ende ndihem keq që ai top nuk përfundoi në rrjetë. Siç e thashë, futbolli i tillë është, herë të gëzon e herë të mërzit, por duhet të pranojmë gjithçka dhe të vazhdojmë përpara. Nuk mund të them a do ta ndërroja golin sot me një në Itali, por ajo që mund të them është se atë ditë isha i pafat dhe sot pata fat, sepse goditja shkoi aty ku duhej. Kjo është bukuria e kësaj loje dhe duhet pranuar.

Amazing Goal Sokol Cikalleshi Akhisar Genclik… by zyhrijearifi

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here