Cikalleshi, kur mundi dhe sakrificat shpërblehen!

0

I rritur në provincë, mes baltës, shiut dhe kushteve primitive, sulmuesi kavajas është ndër të paktët profesionistë që respekton zanatin e tij. Ekipi vjen përpara individit, De Biazi e kuptoi i pari…

Anton Cicani

Cila është detyra e një futbollisti? Të luajë për skuadrën që e paguan. Cila është detyra e një sulmuesi? Të shënojë, ose të paktën të provojë të ndihmojë ekipin e tij me gola dhe paraqitje. Sokol Cikalleshi e bën mjaft mirë. “Preferoj Çikën (kështu e quan), sepse në vend që të qëndrojë në pritje të pasimit të duhur, shkon e merr atë dhe sulmon portën!”. Në një bashkëbisedim me Xhani de Biazin, trajneri i i Shqipërisë, me një fjali të vetme do të shpjegonte motivin se pse sulmuesi kavajas shërbente në funksion të skuadrës dhe jo vetvetes. Sigurisht, egoizmi është arma e çdo bomberi, por altruizmi është ajo që e diferencon me të tjerët. Dhe, thjeshtësia.

Në gjashtë muajt e parë të këtij sezoni te Istanbul Bashaksehiri, edhe pse trajneri Avçi shpesh e dërgonte në tribunë, ose më keq akoma, e linte në shtëpi, ai nuk është ndjerë. Asnjë protestë, asnjë revoltë. Por, ka ‘folur’ në stërvitje, duke dhënë më të mirën. Profesionist i vërtetë, brenda dhe jashtë fushe. Në shtëpi brenda orës 23:00, asnjëherë jashtë kufijve, asnjëherë duke shfrytëzuar faktin se të qenit futbollist dhe sidomos kur fiton të paktën 35-40 mijë euro në muaj, mund t’i shpërdorosh ato dhe shijosh jetën,duke e shkelur në disa raste. i ka ndodhur kujtdo. Por, Sokoli është i fokusuar në punën e tij, në profesionin e tij. Mund të kishte pranuar edhe paratë ruse, apo kazake. Nuk i interesonin. I interesonte që të bënte atë që ai di më mirë: të stërvitet dhe japë më të mirën në fushë.

Fati kundër – Këto vitet e fundit, shtyllat e goditur me kombëtaren e Shqipërisë janë të paktën 5, që përkthyer në gola do të thonin një mesatare të paktën 1 gol çdo tre ndeshje, sipas paraqitjeve. Janë 23 ndeshjet me kuqezinjtë, përfshirë miqësoret, ndërsa golat e shënuar vetëm dy. Nëse do të kishin qenë edhe 5 shtyllat, ose më saktë, nëse fati do të ishte treguar më shumë bujar, sot do të ishte në kuotën e 7 rrjetave kuqezi. E megjithatë, kjo gjë nuk e ka dëshpëruar apo zhgënjyer. Ai ka vazhduar të luajë si gjithmonë.

Balta e krenarisë – Sokol Cikalleshi kurrë nuk është stepur përpara vështirësive. As atëherë kur në Shqipëri, në batakun e moshave, apo skuadrave zinxhir, luftonte për të ardhmen e tij, i ngjyer nga balta që e bëri “më të bukur” si futbollist. Provoi edhe Korenë, aty ku sërish jo për faj të tij, kuptoi se bëhej fjalë për një futboll që nuk i përkiste.

Paratë? Kanë peshën e tyre, por ndryshe është të luash në Europë dhe ndryshe me një skuadër të quajtur Inçeon Junajtid… (me gjithë respektin). Rikthim në Europë, aventurë te Besa sërish, aty ku edhe nisi gjithçka, për të kaluar më pas te Kukësi e fill më pas te RNK Split. Jo vetëm kaq, por duke luajtur në një skuadër që nuk kishte pretendime përveç se objektiv kryesor mbijetesën dhe shitjen e ndonjë talenti, apo zbulimi, për të siguruar arkat të paktën për kampionatet në vijim, kuptoi se sakrifica e tij një ditë do të shpërblehej. Plot 10 gola me Split dhe më pas një miqësore që kthehet për të në një derë për në Bosfor…

Aty ku Istanbul Bashaksehir paguan plot 2 milionë euro për të siguruar kartonin e tij. Plot 6 gola sezonin e parë në kampionat e 7 të tjerë në kupë, ndërsa më pas frenimi, pasi klubi në fjalë vazhdon të blejë sulmues, duke ndërruar edhe skemën. Pranon huazimin në një tjetër provincë, Akhisar, në Egje… E quajtur ndryshe “Kështjella e Bardhë”. Menjëherë, Çika lë gjurmët e tij dhe i shënon edhe ish-skuadrës, Bashaksehirit, duke i provuar trajnerit Avçi, që nuk besoi te ai, se ndoshta thjesht meritonte të mos ishte vetëm një sulmues rezervë dhe kupe…

Këtë fundjavë ishte më i miri në fushë duke realizuar gol dhe dhënë asist në sfidën e fituar me goleadë nga Akhisari (5-1 ndaj Bursasporit). Tre gola deri tani në 8 ndeshje, por Cikalleshi nuk dëshiron të ndalet… Sepse, të jetosh në provincë nuk është edhe aq keq, sidomos për një sulmues që është rritur duke larë fanellën dhe këpucët e tij, në një futboll “primitiv” si ai shqiptar, në vitet më të vështira.

 

Në formacionin e javës

Me paraqitjen e zhvilluar ditën e diel në kampionat, në suksesin 5-1 ndaj Bursasporit, me gol dhe asist, Sokol Cikalleshi është vlerësuar maksimalisht, me notën 9,1, më e larta ndër futbollistët e përzgjedhur në top 11, pra formacionin më të mirës të javës së 28-të.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image