Cikalleshi gol e asist: Uroj që Bashakshehiri të jetë penduar

0

Anton Cicani

Sokol Cikalleshi e ka thënë shpesh: Dua të luaj, ky është prioriteti im, sepse përndryshe nuk tregoj dot sa vlej. Mundësinë ia dha në janar Akisari, klub që synonte mbijetesën në Superligën turke dhe i duhej patjeëtr një sulmues i mirëfilltë, sepse shënonte shumë pak. Bashakshehiri i këshilloi Cikalleshit që të luante disa muaj gjetkë në huazim, pasi rivaliteti në Stamboll ishte i frikshëm. Cikalleshi nuk ka protestuar, nuk ka polemizuar, por pasi është menduar gjatë, në fund të janarit zgjodhi Akisarin. Për të është kryesore të jetë në qendër të një skuadre, ndaj Akisarin e zgjodhi i bindur se nëse i premtonin minuta, ai u premtonte gola. Janë 3 deri tani, në pak ndeshje titullar, pasi në disa takime ka munguar për impenjimet me kombëtaren apo për ndonjë dëmtim të lehtë. Nëse Akisari është tashmë thuajse i shpëtuar, një meritë e madhe i shkon edhe Sokolit tonë, i cili për “Sport Ekspres” ka folur nga Akisari i largët…

Goli i tretë në pak më shumë së një muaj, rendiment perfekt. Mund të thuhet se je ambientuar plotësisht në Akisar. Si ndihesh në këtë moment?

Në këto momente po e bën punën time më së miri, duke qenë se po e ndihmoj ekipin në arritjen e rezultateve. Personalisht ndihem shumë i lumtur, pasi vija nga një periudhë jo e mirë te Bashakshehir. Në fakt, nuk është e lehtë të rigjesh ritmin dhe të ambientohesh shpejt në një klub të ri, por tashmë kam gjetur edhe lojën, edhe golat.

Mbijetesa më pranë falë golave të tu, si ndihen te Akisari?

Ashtu si unë, edhe presidenca dhe stafi i Akisarit janë të shumë të lumtur për ecurinë time dhe të ekipit, sepse jemi shumë pranë objektivit tonë madhor. Më kanë dhënë besim në janar, kishin shumë shpresa tek unë, ndaj jam i lumtur që po ua shpërblej.

A po e mendon të ardhmen? Kthim te Bashakshehir, apo po të pëlqen në Akisar?

Mua më takon të bëj më të mirën në fushë dhe të shënoj sa më shumë. Sigurisht që e mendoj të ardhmen. Deri në qershor jam i Akisarit, në huazim, ndërsa më pas uroj që Bashakshehiri të jetë penduar që më largoi në huazim. Shpresoj që Bashakshehiri e Akisari t’i duan të dyja shërbimet e mia, sepse do të thotë që do të kem bërë mirë. Deri tani po ia arrij dhe uroj të vazhdoj kështu deri në fund. Sigurisht që së bashku me menaxherin tim do të studioj gjithçka deri në detaj, para se të vendos. Megjithatë, kudo që të shkoj, prioritet do të kem mundësinë që të luaj dhe të kem shumë minuta në dispozicion, sepse për një lojtar kjo është shumë e rëndësishme, për të treguar realisht sa vlen.

Në qershor luan kombëtarja, një ndeshje delikate ajo kundër Izraelit. A është ky momenti më i mirë sezonal për ty dhe a ndihesh gati të ndihmosh edhe kuqezinjtë?                       

Për kombëtaren ndeshja kundër Izraelit është një ndër sfidat më të rëndësishme për objektivat që kemi. Unë, ashtu si gjithë lojtarët e tjerë, jam gjithmonë i gatshëm për kombëtaren dhe natyrisht, nëse do të kem mundësinë, do të jap më të mirën time.

Ti dhe Sadiku po shkëlqeni, a do të të pëlqente të luanit bashke në sulm në kombëtare?

Kjo pyetje është bërë shpesh në media, a duhet të luajmë me dy sulmues apo me një në kombëtare. Në fakt, këto janë kompetenca të trajnerit dhe ne si lojtarë thjesht duhet të zbatojmë çdo zgjedhje të tij. Trajneri e di mirë cila është skema që ka nevojë kombëtarja, ndaj është e kotë që të diskutojmë nëse duhet të luajmë me një, dy apo më shumë sulmues. Të gjithë ne sulmuesit duhet të jemi gati, si kur luajmë, ashtu edhe kur jemi në stol, duke luajtur gjatë ndeshjes.

Në Superiore Kukësi e Partizani me pikë të barabarta, Skënderbeu pas tyre. Kush mendon se del kampion, nëse e ke ndjekur kampionatin?

E ndjek me interes të madh kampionatin shqiptar dhe më vjen mirë që është bërë një kampionat kaq i fortë. Janë tre ekipe që pretendojnë titullin, të tre janë të denjë për ta fituar atë dhe jam i sigurt që kjo luftë mes tyre do të vendoset vetëm nga episodet dhe nga përballjet direkte. Nuk di të them cili klub është superior apo favorit, sepse deri tani ka pasur shumë ekuilibër, por di të them vetëm që uroj të fitojë më i miri.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image