Çiçiku: Laçi të japë zemrën në fushë, Starova “dhelpër e vjetër”

Ish-sulmuesi i kurbinasve, pjesë edhe e Partizanit në të shkuarën, flet për ndeshjen e Laçit me “demat” dhe fitoren e bardhezinjve 22 vite më parë

Vladimir Prenga

Artan Çiçiku. Të rinjtë sot në Laç do pyesnin kush është, por shumëkush e kujton me nostalgji atë dhe të tjerë që përfaqësonin fanellën e bardhezinjve në vitet ‘90-të. Ish-sulmuesi, në prag të ndeshjes me Partizanin, sjell në memorie përballjen e 9 dhjetorit 1995, kur ai i shënonte dy gola të kuqve dhe së bashku me Mjedën vulosnin fitoren 3-0 të Laçit. 22 vite më pas, Çiçiku, që jeton e punon në Itali, në një interviste për “Sport Ekspres” sjell në kujtesë atë takim dhe flet për ndeshjen e sotme mes kurbinasve dhe Partizanit, duke treguar edhe historinë e pazakontë të penalltisë së Mustës.  

Artan kanë kaluar 20 vite që nga ndeshja me Partizanin, ku ju shënuat dy gola. Si e kujtoni atë takim?

  • Kam nostalgji shumë për Laçin. Ka qenë ditë me shi. Mos gaboj ka qenë ndeshja e fundit e Mustës. Pasi shkoi 3-0 arbitri dha një penallti. E gjuajti Perlati nga inati jashtë vijës anësore nga bankinat dhe mori karton për sjellje të pandershme në lojë. Mbaj mend atë vit kemi rrahur dhe Flamurtarin e madh, 4-1 ose 4-0, nuk më kujtohet mirë. Edhe Partizani vinte me emra të mëdhenj, por në fushën e lojës në Laç bëheshin të vegjël. Sabah Mici më jepte forcë e gjak në fushën e lojës. Nuk kam parë lojtar me zemër aq të madhe sa ai.

Asokohe Laçi ishte i pathyeshëm në shtëpi. Cili ishte sekreti?

  • Kolektiviteti. Ishim të gjithë njësoj. Presing që në fillim, derisa të dilte goli. Të paharrueshme ato takime. Një urim të veçantë për tifozët e Laçit, që na ndiqnin kudo brenda mundësive.

Kur luanit ju stadiumi ishte plot, si ndiheni kur shihni që në Laç tashmë është një situatë krejt tjetër?

  • Kanë ndryshuar kohët. Atëherë kur luanim mbylleshin dyqanet e të gjithë në stadium. Ishte tjetër kohe.

Vazhdoni ta ndiqni Laçin. Si e keni parë ecurinë e viteve të fundit?

  • Po, lexoj gazetat nëpërmjet internetit. Shume mirë po ecën, se ka vënë ndonjëherë në diskutim rënien nga kategoria. Ka fituar dhe dy Kupa në mos gaboj. Kam folur shpesh me Kastriot Ramën, portierin. Atëherë s’kishte interes, tani është bërë gjithandej njësoj. Ishim ekipi që s’kishim mjek, çdo gjë e bënim vetë. Stërvitjet i bënim në Zejmen, Milot, Fushë-Kuqe, kjo Vetëm për të ruajtur fushën për të shtunën. Tani është bërë stadiumi i ri. Laçi ka pasur çuna me gjak, si Tuna, Tare, Cik Xhela, Pëllumb Yzeiri, i madhi Mici, Tan Paloka, Agustin Ujka e të tjerë.

Sot Laçi përballet me Partizanin, si e shikoni këtë përballje?

  • E vështirë, sepse gjithmonë kur një ekip ndërron trajner, ekipi merr për mirë. Por ishalla Zoti e ndihmon Laçin. Starova është dhelpër e vjetër (qesh).

Keni ndonjë këshillë për ta, çfarë duhet të bëjnë në fushë

  • Në qoftë se kanë zemër, ta nxjerrin për 90 minuta e të nderojnë atë fanellë, jo veten e tyre. Ishalla e përsërisin një 3-0 sërish si dikur.
Faksimile e artikullit të botuar në gazetën “Sporti Shqiptar”

Kush është Artan Çiçiku
Në Laç nuk kishte rëndësi nga vije, në fushë të gjithë jepnin shpirtin në fushë. Një prej lojtarëve që e ka veshur fanellën e kurbinasve është edhe Artan Çiçiku, tiranasi që luante në sulm. Dy sezone është aktivizuar me Laçin dhe në memorien e tij zënë një vend të rëndësishëm. Në karrierën e tij ka luajtur me disa ekipe, mes tyre edhe Partizani për një kohë të shkurtër. Në kryeqytet ka mbrojtur edhe ngjyrat e Dinamos, ndërkohë që ka luajtur me Erzenin për dy sezone, me Besën, Pogradecin dhe Ilirinë e Fushë-Krujës, ku edhe e nisi karrierën. Në sezonin 1995-1996 shënoi 12 gola me fanellën e Laçit, më mirë kishte bërë në ekipin kurbinas vetëm Altin Çuko me 21 gola, 15 prej tyre me bardhezinjtë dhe 6 me Tomorin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *