Champions League/ Manaj ndien zhgënjimin, Setien e hoqi për lojtarin që vetëm do udhëtojë me avion

Rei Manaj feston sot datëlindjen e 23, por jo ashtu siç e ëndërronte. Pritshmëritë e sulmuesit shqiptar u rritën së tepërmi pasi po grumbullohej nga ekipi i parë i Barcelonës. Në listë e bëri sefte ndaj Getafes, duke u grumbulluar nga Setien.

Në jetë thuhet se duhet të jesh në kohën dhe vendin e duhur. Manaj e kishte gjetur te Barcelona, me dëshirat që shkonin edhe për debutimin me fanellën e katalanasve. Vetë trajneri i tyre u shpreh se sulmuesi shqiptar ka disa aftësi ndryshe që do i nevojiteshin në skuadër.

Por debutimi ndaj Getafes nuk do të vinte, ndërsa blerja e Braithëate, e kaloi Manajn si zgjedhje të dytë. Sulmuesi danez është alternativa e parë e Setien, ndërsa në debutim arriti të dhuronte dy asist. Fundja në një lojë ku gjendet Mesi me shokët, asgjë nuk është e vështirë.

Barcelona ka marrë shumë kritika se blerja e shkurtit ishte tërësisht e pallogjikshme, pasi lojtari danez nuk ka aftësi që të mahnisin, për të qenë pjesë e katalanasve. Por Setien po i jep besim të madh dhe për momentin Braithëate ka shumë pikë përpara Manajt.

Në ndeshjen e “Champions League” ndaj Napolit, danezi nuk ishte i rregjistruar, pasi lista deri në finale është dërguar përpara blerjes së tij. Pra Barcelona nuk mund ta përdorë këtë lojtar në asnjë takim, duke mos pasur sulmues të deklaruar. Por kjo nuk do e ndalonte Setienin që ta grumbullonte në listë edhe përpara Manajt, që është pjesë e Barcelonës në “Champions League”.

Trajneri i Barcelonës zgjodhi që të kishte Braithëate me vete vetëm që ky sulmues të ambientohej edhe më tepër me skuadrën, pasi nuk ka asnjë të drejtë që të luajë në Itali. Mes gjashtë lojtarëve të marrë nga akademia dhe Manajt që i ka shkuar gjithmonë kaq shumë afër debutimit, një zhgënjim nuk mund të anashkalohet. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *