Champions League kthehet në Stamboll, 15 vite pas tragjedisë së Milanit

Finalja e Champions League në vitin 2020 do të zhvillohet në Stamboll. Stadiumi Olimpik është bërë i famshëm për finalen e pabesueshme mes Milanit e Liverpulit në vitin 2005, me përmbysjen historike të The Reds nga 0-3 në 3-3, duke fituar më pas me penallti, në një ndër kujtimet më të hidhura në historinë e Milanit.

Tani “Djalli” zor se do të jetë, sepse është shumë larg lavdisë së vet dhe me zor kualifikohet edhe në Europa League, ku mund të mos jetë fare sezonin e ardhshëm për shkak se UEFA mund ta përjashtojë.

Ndërkaq, finalja e Europa League do të luhet në Poloni, në Gdansk Arena, stadium modern i nderuar për Euro 2012.

Superkupa e Europës do të luhet në stadiumin Dragao të Portos. Për këtë të fundit kishte aplikuar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, por ka qenë e kotë dhe nuk do kemi ndonjëherë shanse reale, për arsyen e thjeshtë se nuk kemi as aeroport të madh dhe as hotele të afta të përballojnë mijëra tifozë të ardhur nga vendet e dy ekipeve pjesëmarrëse. Edhe finalja e Champions League në Kiev, në fundjavë, ka pasur probleme pa fund në këtë drejtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *