Çfarë vlerësimi! 20 milionë euro dhe një lojtar, kështu Marash Kumbulla shkon te Interi i Contes

Shqipëria është në “luftë” me historinë. Gjithmonë e kemi dëgjuar shprehjen se Kombëtarja jonë nuk e ka pasur asnjëherë një yll. Por e gjitha kjo mund të ndryshojë brenda pak kohësh, duke parë të ardhmen e talenteve tonë.

Ndërsa Armando Broja po përgatit veten për kalimin e madh te ekipi i parë i Chelseat, në ritme të larta është edhe Marash Kumbulla. Ky i fundit po kërkohet nga shumë skuadra të njohura, por Interi duket të jetë një hap përpara.

Menaxheri i futbollistit shqiptar është parë në zyrat e klubit zikaltër, ndërsa “Gazzetta dello Sport” mëson edhe kërkesën e klubit të Veronës. Në mënyrë që Kumbulla të shkojë te Interi i Contes, atëherë këta të fundit duhet të derdhin 20 milionë euro në arkat e klubit të Veronës për lojtarin 18-vjeçar.

Një shifër kjo më e madhe edhe se ajo që Napoli ka paguar për Amir Rrahmanin, një mbrojtës me më shumë eksperiencë, pasi arriti shifrën e 15 milionë eurove. Por kërkesa e Veronës nuk mbyllet me kaq për Interin, pasi kërkojnë edhe huazimin e Dimarcos, mbrojtësit 22-vjeçar që ka dalë nga akademia e zikaltërve, që të përmbyllet me sukses transferimi i Marash Kumbullës. /Sport Ekspres/