Çfarë kaosi në Serinë A: VAR anulon golin për SPAL dhe jep penallti për Fiorentinën!

Që VAR ka ndryshuar historinë e futbollit modern, këtë tashmë e kemi kuptuar të gjithë, por ajo që ka ndodhur sot në SPAL-Fiorentina i kalon kufijtë e normales.

Në Ferrara ndodhi diçka që ka ngjallur debate pa fund dhe në të ardhmen do të shërbejë si rast studimi.

Kur rezultati ishte 1-1, SPAL shënoi me Valotin, duke bërë që në stadium të shpërthente festa.

Krejt papritur, arbitrit kryesor i komunikohet që duhet të konsultohet me teknologjinë, por goli duket tërësisht i rregullt.

Në të vërtetë, VAR shërbente për të parë një episod në zonën e SPAL-it, në sulmin para golit të vendasve.

Arbitri Pairetto fillimisht dëgjoi ndihmësit e tij, më pas pa vetë episodin, një kontakt mes mbrojtësit Felipe dhe sulmuesit Chiesa, duke vendosur të jepte penallti për Fiorentinën.

Po goli i SPAL? U anulua dhe u gjuajt penalltia që i dha avantazhin Fiorentinës, që më pas fitoi 4-1.

Një çmenduri, që trajneri vendas Semplici e komentoi me shumë qetësi: “Për fatin tonë të keq, kjo është rregullorja. Nuk dua të flas për arbitrat, shpresoj që në të ardhmen të bëhet diçka për të evituar situata të tilla, sepse ndeshja duhej ndalur para se të shënonim ne. Lojtarët e mi e humbën qetësinë më pas”.

Shumë më i ashpër presidenti i SPAL, Valter Matioli: “E kam parë sërish episodin. Loja u ndal për një faull tepër të dyshimtë: Kiezës iu shkel maja e këpucës, por nuk është diçka e re që ai i shpik këto faulle. Nëse vepron kështu, nuk tregohet serioz. SPAL nuk mund të trajtohet kështu, çdo javë dukemi si idiotë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *