“Çfarë do shtrojnë në tryezë dhe si do paguhen qiratë?”! Laçi reagon për shtetin, i tregon Kosovën

Klubi i Laçit ka reaguar së fundmi sa i përket gjendjes së futbollit shqiptar ndërsa jemi në periudhën e Koronavirusit dhe të gjitha stadiumeve i është vendosur dryni. Zërat janë shtuar tashmë dhe këtë herë janë kurbinasit që drejtojnë gishtin nga Kosova, për t’i treguar Shqipërisë shembullin që duhet të ndjekë me mbështetjen ndaj sportit. Futbollistët kërkojnë që të paguhen për nevojat e tyre jetike dhe veprimi duhet të jetë i menjëhershëm. /Sport Ekspres/

Reagimi i plotë

Ditë të vështira për të gjithë shqiptarët dhe për gjithë globin duhet thënë. Askush nuk e kishte imagjinuar një situatë të tillë, por ky është realiteti tani. Gjithsesi të gjithë duhet të bëjmë forcat bashkë dhe ta kapërcejmë këtë sprovë.

Sigurisht pasojat janë të rënda dhe kanë nisur të ndjehen që tani. Po i ndjen edhe bota e sportit dhe ajo e futbollit në veçanti. Nuk mbeten jashtë kësaj krize as klubet shqiptare dhe as klubi ynë . Në kushtet kur çdo aktivitet është ndalur, edhe për klubet e futbollit është e vështirë që të likuidojnë detyrimet financiare mujore, sigurimet shoqërore , tatimin në burim dhe tatimin mbi fitimin , që janë jo të pakta në vlera.

Futbollistët, stafi dhe pjesëtarët e tjerë të klubit me të drejtë presin të paguhen. Ka njëfarë mirëkuptimi të gjithanshëm për situatën e vështirë, por në fund të gjithë mendojnë se çfarë do të shtrojnë në tryezë, si do të paguajnë qiratë ,apo si do të shlyejnë detyrimet e tjera.

Në këto kushte kur çdo restorant është i mbyllur, e vetmja formë qe po i mundësojme sportisteve tanë trajtimin ushqimor është shërbimi katering, pasi jemi të detyruar tu shërbejme dieten ditore ushqimore sipas rregullave te përcaktuara në kontratë .

Nëse ne si klube nuk u përgjigjemi dot, praktikisht kemi pushuar së funksionuari. Ndaj, shteti shqiptar do të duhet ta shikojë me seriozitet edhe situatën e klubeve të futbollit, sikurse të çdo biznesi tjetër.