Cetkoviç takon Demin, kërkon rritje rroge

0

Malazezi është takuar me presidentin për të diskutuar rinovimin. Palët janë dakord për të vazhduar. Mesfushori rrit pretendimet e tij 

“Më pëlqen Cetkoviç, një lojtar me cilësi të mira dhe që e luan topin mirë”, – shprehej Moxhi për afrimin e janarit Marko Cetkoviç. E ke mirë me këshilltarin e presidentit Gaz Demi? Atëherë gjithçka është në rregull. Ashtu si e ardhmja në klub dhe mundësia për të bërë ca “kapriço”. Malazezi Marko Cetkoviç e ka kuptuar mjaft mirë këtë dhe madje po e shfrytëzon si duhet. Futbollisti është pa kontratë, pasi me kampionatin i ka mbaruar edhe marrëveshja 6-mujore me të kuqtë. Në kushte të tilla, Cetkoviç ka nevojë për të rinovuar. Dëshira është e të dyja palëve, por në fund ka një kleçkë… ana financiare.

TAKIMI – Burime të sigurta pranë klubit të kuq bëjnë me dije se Cetkoviç ka pasur një takim me presidentin e Partizanit Gaz Demi. Mesfushori dhe numri një i klubit janë takuar për të diskutuar në lidhje me të ardhmen e 30-vjeçarit në klubin kryeqytetas. Demi i ka shprehur dëshirën lojtarit për ta mbajtur në ekip edhe për një sezon tjetër dhe diçka e tillë nuk është kundërshtuar nga “Cetko”. Malazezi ka dëshirë të vazhdojë bashkëpunimin me klubin dhe deri këtu gjithçka është në rregull dhe në rrugën e duhur, por ka një problem që nuk po gjen akoma zgjidhje. Ana financiare ka penguar palët për të hedhur të zezën mbi të bardhë.

RROGA – Cetkoviç duke shfrytëzuar mundësinë si lojtar i preferuar nga stafi i kuq ka kërkuar që të rrisë pretendimet financiare. Presidenti Demi ka dëgjuar pretendimet e lojtarit dhe tashmë po i shqyrton me stafin e tij. Mundësitë që palët të vazhdojnë janë shumë të mëdha dhe tifozët e kuq duhet t’i gëzohen faktit se Cetko do të jetë me to edhe për sezonin 2017-2018.

TAKIMI I DYTË – Për të vendosur pikat mbi “I” është menduar edhe një tjetër takim ndërmjet Demit dhe Cetkoviçit. Përballja e tyre pritet të ndodhë gjatë kësaj jave dhe të vendosen edhe kushtet përfundimtare mes tyre.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.