Cetkoviç: Jam befasuar nga Shqipëria, atje ndihesh si yll!

Marko Cetkoviç është një nga lojtarët e huaj më të mirë që ka luajtur në Superiore. Nipi i një emri të madh të futbollit botëror, Pedrag Mijatoviç, iu bashkua Laçit në verën e vitit 2014 dhe sapo e mori veten nisi të rrëmbente zemrat e tifozëve.

Cetkoviç shënoi 8 gola në kampionat, ndërkohë që në fund fitoi edhe Kupën e Shqipërisë. Malazezi ishte protagonist, duke asistuar te goli i fitores, shënuar nga Xhejms Adeniji. Së bashku me nigerianin ishin një dyshe shumë e fortë dhe e kërkuar asokohe në merkato.

Tani fantazisti luan me Sutjeskën dhe është shpallur kampion, ndërkohë që së fundmi ka dhënë edhe një intervistë të gjatë për “vijesti.me”. Cetkoviç flet mes të tjerash edhe për eksperiencën në Superiore, ku është aktivizuar edhe me Partizanin.

“Shqipëria ishte një surprizë e këndshme. Blazho Rajoviç, i cili ka luajtur atje, më tregoi dhe me këshillën e tij shkova. Në të vërtetë, gjithçka ishte në një nivel shumë më të lartë se sa e kisha menduar, edhe më lart se këtu”, tregon Cetkoviç.

“Kur isha atje, Supersport transmetonte të gjithë ndeshjet në format HD, stadiumet janë të mira, sikurse edhe terrenet. Futbollistët konsiderohen yje dhe janë shumë të njohur. Njerëzit gjithashtu e duan futbollin. Të gjitha këto e bëjnë një lojtar të ndihet rehat dhe nëse mund ta them kështu, një yll i vërtetë”, përfundon malazezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *