Çështja “Piatek”, De Laurentis vendos “pikat mbi i”

Kristof Piatek është kryefjala e çfarëdolloj teme që bëhet në Itali për sa i përket futbollit. Sulmuesi i Xhenoas ka bërë një start në kufijtë e të pabesueshmes, teksa pas 8 javësh kampionat, numëron plot 9 gola të shënuar. Polaku ka mahnitur me formën e treguar dhe menjëherë ekipet e mëdha janë vënë në lëvizje, teksa Napoli ka shfaqur interes konkret.

Pikërisht për këtë çështje ka folur presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis. Numri një i klubit të kaltër ka theksuar se është diskutuar tema “Piatek” midis tij dhe presidentit të Xhenoas, por ai nuk kërkon të nxitohet lidhur me këtë çështje dhe kërkon të shohë se si do të vijojë ecuria e sulmuesit polak.

“Kam folur dhe me presidentin Preciozi dhe me agjentin e Piatek. Unë duhet ta diskutoj akoma dhe me Ançelotin, i cili ka një kontratë dhe për tre vite, por dua që ta rinovoj për ta pasur dhe për gjashtë vite të tjera. Kështu do të jem më i qetë. Për Piatek nuk dua të nxitohem dhe të bëj veprime të nxituara, pa i hequr asnjë meritë për çfarë ka bërë deri tani”, ka përfunduar presidenti De Laurentis.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *