Çështja Ozil ndez Gjermaninë, Merkel pranon vendimin e mesfushorit

Para 4 vitesh ishte mbreti i Gjermanisë, tani Mesut Ozil trajtohet si armik nga një pjesë e madhe e medieve apo tifozëve, si pasoja e skandalit të fotove me presidentin turk Erdogan. Pas lajmërimit për tërheqje nga kombëtarja gjermane, ku Ozil ka shpjeguar se e merr vendimin duke parë racizmin rreth tij dhe mospranimin e faktit që është mysliman, reagimet kanë qenë të shumta.

Presidenti i Bajernit Uli Hënes është treguar harbut: “Më mirë që iku, kishte vite që luante si m** në kombëtare”, ndërsa në media debati është i madh dhe Bild, për shembull, ka dalë hapur kundër mesfushorit, duke publikuar edhe një shkrim redaksional ku sulmon ashpër futbollistin e Arsenalit.

Megjithatë, ka edhe nga ata që nuk përfshihen në këtë luftë dhe një prej tyre është kancelaria gjermane Angela Merkel, e cila respekton vendimin e Ozilit, deklaroi një zëdhënëse e qeverisë gjermane sot.

Pas njoftimit të Ozilit, zëdhënësja e Merkelit theksoi se të gjithë janë të mirëpritur në Gjermani, pavarësisht nga origjina e familjes, ndërsa shtoi se kancelaria gjermane e vlerëson Ozilin.

Kancelarja e vlerëson shumë Mesut Ozilin. Ai është një futbollist që ka kontribuar zakonishtnisht për kombëtaren. Tani ai ka marrë një vendim që duhet respektuar. Për sa i përket debatit të krijuar së fundi, duhet thënë se rreth 3 milionë njerëz me rrënjë turke që jetojnë në Gjermani janë integruar mirë”.

Ndërkaq, ministrja e drejtësisë Katarina Barlej shkroi në Twitter: “Është një sinjal alarmi kur një futbollist i madh gjerman si Mesut Ozil ndihet i padëshiruar në vendin e tij, për shkak të racizmit dhe për shkak se nuk ndihet i mbrojtur nga Federata Gjermane”.

Ndërkaq, ministri i punëve të jashtme Hajko Mas ka bërë thirrje që kjo çështje të mos marrë përmasa më të mëdha nga ç’duhet: “Nuk mendoj se problemi i një miliarderi që jeton dhe punon në Britani flet shumë për integrimin në Gjermani. Sidoqoftë, e vërteta është në fushë. Fakti që Gjermania u eliminua që në grupe në Botëror nuk ka të bëjë me foton e Ozilit me Erdoganin. Të gjithë ata që janë përfshirë në këtë histori duhet të reflektojnë. Në këndvështrimin tim, pak njerëz janë sjellë si duhet në këtë çështje”.

Ozil ngriti problemin e së djathtës në Gjermani, që po ngrihet frikshëm, ndërsa lideri i partisë së djathtë ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, Vibke Muhsal, shkroi në Twitter: “Më në fund, bëri atë që pritej prej kohësh. Ozil ankohet për mungesë respekti? Deri tani nuk kam parë prej tij përkushtim ndaj Gjermanisë, as respekt për simbolet e identifikimit, si himni kombëtar gjerman”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *