Çështja Majkëll Ngo, ditë vendimtare te Tirana

Majkëll Ngo u kthye sërish në çështje te Tirana. Sulmuesi anglez u kap me Gentian Muçën në miqësoren me Korabin në fundjavë dhe në klubin bardheblu ende nuk kanë vendosur përfundimisht se çfarë do të bëjnë me të.

Mendimi i parë ishte përjashtimi, pasi është e disata herë që sulmuesi ka probleme. Më parë për arsye disiplinore ishte dërguar tek ekipi i dytë. Kishte vetëm pak ditë që ishte falur dhe duhen ruajtur balancat brenda grupit.

Nëse Ngo falet sërish, çfarë do të ndodhë nëse dikush tjetër vepron njëlloj? Këto ditë do të jenë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit te Tirana dhe presidenti Refik Halili tanimë duhet të mendohet mirë dhe të konsultohet po aq mirë edhe me trajnerin Ardian Mema.

Pritet që të mësohet nëse anglezi do të përjashtohet, apo do të merret ndonjë masë tjetër për të. Duhet njëherë e përgjithmonë t’i jepet drejtim kësaj çështjeje. Me situatën që Tirana po përjeton, duke u renditur në vendin e tetë, problematika të tilla nuk kanë vend në kampin bardheblu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *