Çështja/ Cungu minon objektivat e Kukësit, Gjici përgatit furtunën e radhës!

Ka pritur të mbushet kupa dhe plot pesë gola kanë “derdhur” mllefin e tij… Armando Cungu e mbante brenda që në ndeshjen e shkuar, ndaj Karabakut, por momenti i ka ardhur pas humbjes së thellë ndaj Torpedo Kutaisit, në Gjeorgji.

E teksa te klubi verilindor i jepnin rëndësi vizave, aspektit burokratik, mikpritjes gjeorgjiane, në fushë skuadra është shpartalluar nga të gjitha anët, si “amatorë”, nëse do përdornim përkufizimin e trajnerit. Dhe nëse një trajner del në një prononcim zyrtar dhe publik duke thënë se “këtu duhen ndërhyrje, ndryshe nuk kështu nuk ka asnjë shpresë”, praktikisht ka hedhur armët…

Sigurisht, të bën habi fakti se si Cungu nuk foli më parë, pasi në stërvitje i kishte parë ata futbollistë që kishte në dispozicion, pasi kishte studiuar mirë skuadrën. A thua se te Kukësi e çuan me sytë e lidhur?!

Në anën tjetër, nën akuzë ka përfunduar drejtori sportiv Nderim Nexhipi, që me trajnerin ka një raport tepër të fortë dhe, majde, pas kësaj të fundit, vështirë se do të flasin mes tyre… Në mes, presidenti Gjici, ai që vendos për gjithçka dhe që përgatit furtunën e radhës.

Këtë herë, një minë me sahat, që plasi sonte dhe që dëmet mund të jenë të mëdha. Sepse, nëse Cungu është gati të largohet, atëherë skuadra do të duhet të zgjedhë një tjetër trajner, kur kampionati është në prag dhe ku zgjidhja do të ishte sigurisht emergjente.

Por, si mund të shkatërrosh një skuadër që sa ke ndërtuar? Si mund të ndërhysh në merkato në ditët e fundit? Me çfarë parash?! Po lojtarët që ke nën kontratë dhe ke firmosur si do t’i dëbosh? Në çfarë mënyre? Pyetje që Gjici duhet të bëjë sonte dhe nesër, por që vështirë të gjejë përgjigje.

Ndoshta, aventura e Cungut është mbyllur këtu, në Gjeorgji, sepse pas këtyre deklaratave, që praktikisht hedhin poshtë gjithë punën e bërë, investimet dhe merkaton, presidenti nuk mund të ndryshojë gjithçka dhe të përmbysë atë që ka bërë… Koha nuk premton, tifozët duan përgjigje, por sidomos duhet një deklaratë e fortë e klubit.

Vizat, avioni, mikpritja janë çështje dytësore, madje tretësore. Këtu nuk flitet për Europën por për sezonin që ende s’ka nisur dhe rrezikon të komprometohet që tani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *