Çelsi marshon, Evertoni ngec në shtëpi

Çelsi ruan hapin e Liverpulit, teksa skuadra e Maurizio Sarrit ka fituar me rezultatin e pastër 2-0 kundër Bornemouth. Pedro dhe Hazard ishin ata që vendosën fatet e këtij takimi, ndërkohë që në pjesën e parë asnjëra skuadër nuk kishte arritur dot të shkonte te goli.

Zhbllokimi i ndeshjes erdhi pas një aksioni të bukur të Çelsit, që shkon drejt portës kundërshtare me disa pasime. Kombinime të mira mes Zhirud dhe Pedros, me spanjollin që në hyrje të zonës së rreptësisë gjeti këndin e poshtëm të portës mike. Gol dhe Çelsi e pa veten në avantazh.

Por nuk mjafton goli i spanjollit për të qetësuar Sarrin dhe Çelsin. Hazard në të 85’ arriti të shënojë dhe të dyfishojë shifrat. Belgu shfrytëzoi një pasim të Alonsos dhe me një diagonale brenda zonës gjeti rrugën e rrjetës. 2-0 dhe tre pikët u arkivuan për londinezët.

Një pikë për Fulhemin e rikthyer në Premier Ligë. Edhe pse në transfertë, londinezët arritën të barazonin kundër Brajton me rezultatin e ngushtë 2-2. Vendasit mund të kalonin të parët në avantazh me anë të Gros në të 25’, por nga penalltia nuk realizoi dot.

Në fund të pjesës së parë ishte Shyrle ai që shënoi dhe e dërgoi Fulhemin në pushim në avantazh. Mitroviç me fillimin e pjesës së dytë shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes vendase dhe me dy tentativa arrita të realizojë. Gjithsesi vendasit reaguan dhe anë të Murrai ngushtuan shifrat. Një pasim i gabuar i mbrojtjes së Fulhemit u shfrytëzua nga Brajton që hapi takimin.  Këmbëngulja e vendasve vijoi dhe ishte i njëjti lojtar që shënoi sërish, por këtë herë me penallti në minutën e 84-t. 2-2 dhe skuadrat ndanë nga një pikë.

Tre pikë edhe për Sothempton. Kundër Kristal Palas në transfertë kanë triumfuar 0-2. Ings në minutën e 47-të hapi takimin, pasi pjesa e parë ishte mbyllur me rrjeta të paprekura. Ai ka shfrytëzuar një top të gjatë në zonë dhe i vetëm me portierin është treguar i saktë. Në shtesë ka qenë danezi Hojbjerg, i cili me golin e shënuar i ka mbyllur të gjitha llogaritë.

Barazim 1-1 në Liverpul mes Evertonit dhe Hadërsilldit. Dy gola të shënuar për dy minuta në pjesën e parë. Billing për miqtë realizoi më kokë pas një goditjeje këndi, ndërkohë që me të njëjtën mënyrë realizoi edhe Kalver-Leuin. Krosi i Dinje u shfrytëzua në maksimum nga lojtari i Evertonit.

Uest Hemi është në krizë. “Çekiçët” kanë pësuar humbjen e katërt radhazi në kampionat dhe këtë herë i ka mposhtur Uolverhemton në minutat shtesë. Troare përballë portierit vendas nuk ka gabuar dhe me golin e shënuar i ka dhënë tre pikët skuadrës së tij.

PREMIER LEAGUE – JAVA 4

Brajton-Fulhem 2-2
Shënues:
Murrai 67’, 84’ (pen.) / Shyrle 43’, Mitroviç 62’

Çelsi-Bornemuth 2-0
Shënues:
Pedro 72’, Hazard 85’

Kristal Palas-Southempton 0-2
Shënues:
Ings 47’, Hojbjerg 93’

Everton-Hadersfilld 1-1
Shënues:
Kalver-Leuin 36’ / Billing 34’

Uest Ham – Uolverhemtpon 0-1
Shënues:
Traore 93’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *