Çelsi e ka gjetur sulmuesin, për Hysajn ndërhyn një klub spanjoll

Mauricio Sarri ia ka bërë të qartë drejtuesve të Çelsit dëshirën e tij. Trajneri italian kërkon një emër të madh për repartin e sulmit dhe, pasi u fol për një interesim për Higuain dhe Kavanin, tashmë ka dalë në skenë një tjetër emër. Ai është Karim Benzema dhe lajmin e zbulon anglezja “The Mirror”.

31-vjeçari, i cili ka shënuar 10 gola këtë sezon në kampionat dhe Champions, do të zëvendësojë Alvaro Moratën, i cili do të largohet nga “Blutë e Londrës” dhe ka mbetur për t’u përcaktuar ekipi i tij i ri. Benzema luan prej vitit 2009 me Realin, tashmë është gati për të nisur një eksperiencë të re, ndërsa kompanitë angleze të basteve kanë bllokuar koeficientet e basteve për kalimin e sulmuesit në “Stamford Bridge”.

Përveç Benzemasë, Çelsi vazhdon të jetë i interesuar për të marrë shërbimet e Elseid Hysajt. Mbrojtësi shqiptar është një dëshirë e Sarrit, i cili është personi që i dha mundësinë të debutonte në elitën e futbollit italian. Por, një tjetër ekip është futur në garë për shkodranin e kombëtares. “CalcioNapoli24 TV” raporton se në garë për Hysajn është futur dhe Atletiko e Madridit.

Andrea Berta, drejtori sportiv i “colchoneros” i ka propozuar Diego Simeones emrin e 24-vjeçarit. Berta ka raporte të mira me homologun Xhuntoli të Napolit dhe palët kanë nisur bisedimet për të arritur marrëveshjen për kalimin e lojtarit në kryeqytetin spanjoll, pavarësisht se Çelsi po monitoron situatën dhe është gati për të ndërhyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *