Çelsi e Arsenali, një derbi për Kavanin

Dy klubet londinezë janë vënë menjëherë në lëvizje për sulmuesin uruguaian pas sherrit me Nejmar

Disa prej klubeve të rëndësishëm në Evropë janë vënë menjëherë në lëvizje për të siguruar shërbimet e Edinson Kavanit pas raportimeve të medieve franceze se uruguaiani dhe Nejmar janë përplasur keq mes tyre. Napoli në Itali, si dhe Evertoni, Çelsi e Arsenali në Angli janë gati të përfitojnë nga shërbimet e Kavanit nëse ky i fundit do të largohet nga Paris SG-ja pas sherrit me Nejmarin. Klubi parisien ka vendosur të qetësojë gjakrat, duke vendosur heshtje për shtyp. Vetë presidenti Al Kelaifi në një reagim të shkurtër ka deklaruar se kjo është një histori e sajuar nga mediat. Por në fakt situata mund të duket më e ndërlikuar se kaq. Kavani ka nisur të shfaqë zhgënjim për pozicionin e tij në ekip. Pasi ka qëndruar për vite me radhë nën hijen e rëndë të Zlatan Ibrahimoviçit, tashmë i duhet të pranojë një realitet të ri dhe të jetë nën hijen e Nejmar. Vetë Paris SG-ja është nën presion nga UEFA për respektimin e fair play financiar dhe do të jetë e detyruar të shesë disa prej yjeve të vet në vetë. Lukas Mura, Angel di Maria dhe Julian Draksler janë disa prej lojtarëve që mund të shiten. Por fatin e tyre mund ta ketë dhe Kavani. Në këto kushte Çelsi dhe Arsenali në Angli janë vënë në ndjekje të Kavanit dhe po studiojnë me mjaft kujdes ngjarjet në Paris. Nëse PSG-ja do të vendosë të nxjerrë përfundimisht në shitje sulmuesin nga Uruguai, dy klubet e Londrës janë gati të nisin të një garë të ethshme mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *