Celhaka nuk demoralizohet nga mungesa e ftesës: Është Ismajlgeci, duhet t’i “vrasim” ndeshjet

Me ardhjen në krye të Ahmataj tek Tirana, po i besohet gjithmonë e më shumë të rinjëve. Kjo është filozofia e pranuar nga tekniku i ri i bardhebluve, i cili është shprehur se kërkon të lërë një ekip të shëndetshëm për të ardhmen.

Një prej lojtarëve që ka bindur me nivelin e treguar ka qenë pikërisht Jurgen Celhaka. Mesfushori 18-vjeçar nuk është ftuar nga Shqipëria U-21 për ndeshjet e radhës, por pavarësisht kësaj, nuk shfaq demoralizim dhe shpreh i lumtur që atje ndodhet shoku i ekipit, Ismajlgeci.

“Është dicka e re pasi sezonin e kaluar nuk mora minuta, thuajse fare. Besoj këtë sezon kam bërë ndeshje të mira dhe sigurisht që dua të marr më tepër aktivizime pasi jam nderë mirë si moralisht ashtu edhe fizikisht.

Nuk më takon mua të flas për këtë çështje rreth Shqipërisë U-21. Detyra ime është të punoj fort dhe të bëj më të mirën në çdo ndeshje. Sigurisht që më vjen mirë që ftesa erdhi për Ismajlgecin. Besoj do të jetë çështje kohe.

Mendoj që kemi pasur mundësi shumë të mira për ti mbyllur këto ndeshje si ndaj Flamurtarit dhe Teutës. Kështu mund ta demoralizonim kundërshtarin duke e vrarë ndeshjen dhe për ne krijohet një armë më e fortë psikologjik.

Edhe me profesor Memën jam ndjerë mirë, dhe profesor Ahmataj jam shumë mirë më jep shumë besim dhe shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm”, tha Celhaka. /Sport Ekspres/