Ceka: Nder të përfaqësosh kombin, emocion i papërshkrueshëm!

Fatmir Ceka, portieri i Akademisë së Futbollit, ka dalë sot para mediave përkrah trajneri të Shqipërisë U19, Nevil Dede. Shtatlarti, dukshëm i pjekur në ato çka thotë, ka një mesazh të qartë për të gjithë të rinjtë: “Kur vesh fanellën kuqezi nuk prezanton veten, por kombin”.

“Të veshësh fanellën e kombëtares është një emocion i papërshkrueshëm, ndjenja më e bukur në botë. Të gjithë ata që e veshin fanellën e kombëtares duhet të ndjehen shumë krenarë për veten e tyre. Kur vishet kjo fanellë duhet të dish që nuk je duke prezantuar veten, por je duke prezantuar një komb të tërë. Duhet të bësh mbi maksimumin tënd për t’i bërë të gjithë krenarë”, shprehet Ceka fillimisht.

Më pas ai e pranon se e ka ëndërruar që të luajë për kombëtaren dhe kjo e ka shtyrë të punojë edhe më fort: “Që i vogël e kam ëndërruar dhe ka qenë motivimi im më i madh për t’u stërvitur, derisa ia arrita qëllimit. Do vazhdoj të punoj edhe më fort, që mos ta lëshoj vendin”.

Shqipëria U18 barazoi me bashkëmoshatarët e Maqedonisë së Veriut me rezultatin 2-2 dhe Ceka normalisht do kishte dashur që kuqezinjtë të triumfonin. “Kur luan për kombëtaren është gjithmonë e rëndësishme të fitosh dhe të japësh maksimumin. Edhe në ndeshjen e dytë do bëjmë më të mirën dhe do tentojmë të fitojmë. Në kombëtare nuk ka asnjë ndeshje miqësore, janë të gjitha si finale”, përfundoi portieri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *