Çeço, talenti i Dinamos që “vallëzonte” me topin

1

Arjan Likja

Kur flitet për një ekip emblemë të elitës së futbollit shqiptar ndër vite si Dinamo, s’ka se si të mos shkojë mendja te emri i mesfushorit fantazist Iljaz Çeço. Pa dyshim, Çeço, është një nga futbollistët më të mëdhenj që blutë kryeqytetas kanë pasur në gjirin e tyre në periudhën kur së bashku me Partizanin rivalizonin dhe koleksiononin tituj kampion e kupa republike në seri! Çami lushnjar, para pak ditësh ka festuar datëlindjen e 70-të të tijën, por për tifozët lushnjar, ata dinamovitë dhe për mbarë opinionin futbolldashës shqiptar, ai do të ngelet futbollisti që “prodhonte magji” me topin si një strateg i mesfushës së Lushnjes ku nisi hapat e para të futbollit, Dinamos dhe i ekipit tonë përfaqësues. Madje, karakteristikë e “Lazes” ishte se vallëzonte në fushë me topin në zotërim dhe e mbante gjithmonë kokën lart…!

CEREMONIA – Në nder të jubilarit të 70-të të lindjes së legjendës së futbollit shqiptar, ditën e premte, më datë 27.01.2017, në një nga sallat e muzeut kombëtar shoqata “Çamëria” në bashkëpunim me Ministrinë e Sporteve dhe FSHF-në, bëri promovimin e një dokumentari kushtuar jetës dhe karrierës brilante sportive dhe familjare të Iljaz Çeços. Ky dokumentar i realizuar me një mjeshtëri të adhurueshme profesionale nga regjizori Ylli Pepo, i titulluar “ME KOKËN LART” për 1 orë e 30 minuta përshkruante jetën mjaft të pasur futbollistike të ikonës dinamovite. Çeço, që në fëmijërinë e kahershme të tij në qytetin e tij të lindjes, Lushnjë, ku filloi të hidhte hapat e tij të parë si një futbollist me të ardhme mjaft të ndritur si regjizor i Dinamos së artë dhe ekipit tonë përfaqësues. Nuk mund të mungonin në këtë eveniment të ikonës së futbollit shqiptar, Iljaz Çeço, shumë emra të njohur të futbollit shqiptar, bashkëkohës të Çeços tek Lushnja, Dinamo,  apo edhe ekipi përfaqësues të cilët ndanë me shokun e tyre nostalgjinë e lavdisë së karrierës për disa vite. Emocione  ngjalli ndër të tjera në këtë eveniment, dorëzimi simbolik nga ana e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i fanellës aktuale të përfaqësueses sonë me numrin 8-të që mbante dikur mbi shpinë Çeço. Mbas shfaqjes së këtij dokumentari, nuk mund të mungonte me kontributin e tij fisnik në nderim të figurave të spikatura të futbollit shqiptar ndër vite edhe zv. presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, i cili shtroi një banket në nder të të madhit Iljaz Çeço, duke respektuar edhe të ftuarit e shumtë.

EMOCIONET E ÇEÇOS – Mbas përfundimit të këtij evenimenti jubilar, enkas për “Sport Ekspres”, legjenda dinamovite Iljaz Çeço me emocionet që e shoqëronin u shpreh: “Nderimi dhe respekti që më bënë organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij evenimenti, për nder të karrierës sime futbollistike, më ringjalli me po aq forcë e kënaqësi ato emocione që përjetoja në futbollin e luajtur. Përfitoj nga rasti që me anë të  gazetës tuaj të falënderoj shoqatën “Çamëria”, FSHF-në, Ministrinë e Sporteve, bashkëkohësit e mi futbollist me Lushnjën, Dinamon dhe ekipin përfaqësues si dhe të gjithë miqtë, shokët dhe të afërmit që asistuan në përurimin e këtij dokumentari autobiografik të gjithë jetës familjes dhe karrierës sime futbollistike. Ndihem vërtetë shumë i vlerësuar dhe i emocionuar si dikur, kur shënoja gola dhe ngrija trofe me Dinamon dhe ekipin përfaqësues. Respekt dhe mirënjohje për mësuesin tim në Lushnjë, Piro Risilia, i cili më mori nga futbolli i rrugicave në qytetin tim të lindjes në Lushnjë dhe më “kultivoi” dëshirën për t’u bërë pjesë e ekipeve zinxhir të Lushnjës. Respekt edhe mirënjohje për 2 trajnerët e mi të parë tek ekipi i të rriturve të “Traktorit” të atëhershëm, Roza Haxhiu dhe Adem Karapici. Nuk mund të lë pa përmendur dhe trajnerin tim të parë kur erdha tek Dinamo, Xhevdet Shaqiri si dhe trajnerin tim të parë të parë tek ekipi përfaqësues Lulëzim Konçi. Falënderoj të gjithë bashkëkohësit e mi futbollist tek Lushnja që erdhën dhe asistuan në këtë promovim jubilar të karrierës time këtu në Tiranë, duke filluar nga Jahsin Gazheli Xhevit Sefa, Gëzim Qerimi, Janaq Shandro, Artur Çobani, Vath Arapi  etj si dhe bashkëkohësit e mi trajner e futbollist tek Dinamo dhe ekipi ynë përfaqësues. Respekt dhe mirënjohje pa fund për të gjithë ata që e ndiejnë dhe e duan sportin më magjik në botë me emrin “Futboll”…!

SHPËRNDAJE

1 KOMENT

  1. CECO PERNASKA … BALLGJINI TE BENIN ME FRIKE …. UNE QE ISHA PER TIRONEN …POR KETO FUTBOLLISTA ISHIN ME TE VERTETE SHUME TE MIRE .. JETE TE GJATE ATYRE … QE I DHANE PAK LUMTURI RINISE ME FUTBOLLIN TONE .

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image