“Çdo lojtar do largohet nëse sillet si rrugaç, fanella e Tiranës nuk dhurohet!”

Ardian Mema, trajneri i Tiranës, ka dalë para mediave sot dhe ka sqaruar në fillim çështjen me sulmuesin Majkëll Ngo. Kreu i pankinës i ka vënë theksin te disiplina dhe qartazi është shprehur se lojtari nuk është në planet tij.

SULMI DHE NGO – “Kam bërë stërvitje me dyer të mbyllura dhe nuk më vjen mirë që tregohet gjithçka unë kam bërë. Megjithatë çdo ndeshje ka specifikën e vet dhe nga njëra ndeshje në tjetrën do ketë ndryshime, pasi ndryshojnë manovrat sulmuese dhe mbrojtëse”, tha fillimisht Mema në lidhje me ndryshimet në sulm.

Sa i takon Ngo, trajneri i Tiranës u shpreh: “Pas incidentit, nuk jam i qartë si do të veprohet me të. Çdo lojtar do largohet nëse do shfaqë sjellje rrugaçërie. Nuk kam asgjë personale me asnjë, çdokush duhet të jetë i disiplinuar. Një lojtar, nëse nuk është i disiplinuar jashtë fushe, nuk mund të jetë as taktikisht në fushë. Kjo është çështje e mbyllur përsa i përket rregullave të mia dhe klubit.

“A do e pranoj nëse klubi do vendosë? Nuk e di se si do të vendosë klubi në të ardhmen. Unë jam trajner dhe dua disiplinë. Kam rregullat e mia. Për momentin ai nuk është në planet e mia dhe besoj se nuk do të jetë”, thekson trajneri i bardhebluve.

NDESHJA ME FLAMURTARIN – “Po shkonte çdo gjë sikur e kishim parashikuar. Gabimet të ndëshkojnë, nuk kisha çfarë i thosha ekipit për interpretonin. Ishim mirë. Episodet të ndëshkojnë, duhet përqendrim që gabimet të jenë të vogla për të arritur objektivin për ta fituar ndeshjen. Nuk fitohen ndeshjet me gabime. Kundërshtarët janë të gatshëm të lexojnë situatat e këqija dhe të shënojë golin. Ishin një ose dy mundësi që ia dhamë Flamurtarit mundësitë për të shënuar. Pjesa tjetër e lojës foli për ne. Loja më jep garanci për ndeshjet e radhës”.

SHQËTËSIMI – “Sa erdha m’u dëmtuan Blazhevski dhe Kërçiku,përpos rezultateve jo të mira. Mungesat na i shtojnë problemet. Do luajmë ndryshe nga ndeshja e fundit. Jemi përgatitur, por nuk mund të them më shumë për organizimin e sulmit dhe manovrën mbrojtëse”.

KAMZA – “Është ekip i fortë, kemi diskutuar me lojtarët. Duhet përqendrim. Koha është e shkurtër, rikuperimi dhe përgatitja e ndeshjes po bëhen në një kohë të pakët. Do e trajtojmë me video dhe mendoj se ekipi do të jetë në gjendje ta përballje këtë ndeshje”.

KUSH GABON HUMB FORMACIONIN – “Kjo është lojë me gabime. Kjo nuk do të thotë se del nga formacioni se bën një gabim. Kur një lojtar bën një gabim që mësohet kur je i vogël, që nuk duhet bërë. Unë nuk kam ardhur këtu të mësoj lojtarët të luajnë futboll, por të shikoj kush është gati të luajë futboll. Në analizë u thashë se secili ka përgjegjësitë e veta. Të parat i kam unë si trajner. Çdo lojtar që do jetë i gatshëm do të luajë. Nuk jam këtu për të ndëshkuar lojtarë. Duhet të jemi me këmbë në tokë, unë mundohem t’u qëndroj afër. Nuk kam qejf të ndëshkoj lojtarët. Për sjelljen po, për fushën është tjetër gjë. nëse nuk je gati do luajë dikush tjetër. Bluzën duhet ta fitosh, nuk ta fal”.

“Edhe Ze Maria bëri të njëjtën gjë dhe humbi vendin. Mos është pak e rrezikshme? Unë nuk kam ardhur këtu të plotësoj tekat e njërit apo tjetrit. Kush është i gatshëm të luajë do të luajë. Nuk ia jap askujt bluzën, duhet fituar. Edhe mua nuk ma ka dhënë kush bluzën, e kam fituar”.

NEVOJA PËR NDËRHYRJE – “Në momentin që kam ardhur kam konstatuar menjëherë problemet që ka pasur ekipi. Më shumë jam fokusuar tek ana psikologjike se si do të veprojmë me lojtarët. Siç e kam thënë dhe më parë, në këtë moment trajneri duhet të përshtatet me grupin që ka, pastaj pas merkatos së janarit është një moment i dytë se ku do ndërhyhet. Pjesa e parë, si e imja ashtu dhe e klubit, është që të dalim nga kjo situatë shumë e keqe, sepse nuk jemi në një pozicion të mirë. Ky është hapi i parë dhe më pas do të shohim si do të shkojnë gjërat. Për mua janari është larg, nuk është afër. Duhet të ndërhyjmë. Rezultatet të bëjnë që të rritesh, por na duhet që të ndërhyjmë për të arritur objektivat”.

NDRYSHIMET NË FORMACION – “Ne jemi të limituar me lojtarë. Kemi 18 futbollistë, pasi pjesa më e madhe janë të dëmtuar. Nëse ne do të humbasim? Është si parashikim dhe unë nuk e mendoj këtë gjë, pasi ne do të shkojmë për ta fituar ndeshjen. Nuk e mendoj humbjen. Nëse ndodh do të mendoj si për vete dhe për lojtarët”.

PEZULLIMET TE KAMZA –  “E kam lexuar në media para tre ditësh.  Nuk është e vërtetë. Pa pyetur askënd e di shumë mirë këtë gjë. Unë nuk e përgatis skuadrën që të luajë përballë të rinjve të Kamzës se nuk paska 5 lojtarë, unë e përgatis skuadrën që të luajnë përballë lojtarëve më të mirë të Kamzës”.

SITUATA TE TIRANA – “Nuk kam ardhur në një moment të mirë. Ekipi ishte në një gjendje të keqe psikologjike. Ne i trajtojmë shumë ekuilibrin, tranzicionin,  presionin etj dhe mund të them se kishte probleme të jashtëzakonshme. Ishte ajo pjesë që unë si trajner kam tentuar për të realizuar ato manovra që mendoja, por dhe për të folur me lojtarët se çfarë problemesh kemi dhe si i kam konstatuar unë ato. Skuadra u soll mirë në ndeshjen me Flamurtarin, pati ekuilibër. I referohem ndeshjes në Vlorë sepse gara është referenca më e mirë për një trajner. Skuadra ishte në ekuilibër, bëri presion dhe mendoj se më dha një lloj shprese që tek ky ekip kemi mundësi për të punuar dhe për t’u rritur”.

GJENDJA FIZIKE– “Edhe gjendja fizike ishte problem, pas dy seancave stërvitore mendova që ta fus pak në ngarkesë ekipin dhe ishin 2-3 ditë me ritëm të lartë. Pashë probleme fizike dhe kjo është një fakt për ta parë dhe për të punuar në vazhdimësi në këtë pjesë”.

MUÇI – “Klubi ka në gjirin e vet dhe lojtarët e perspektivës. Një klub bazohet te lojtarët me eksperiencë dhe te lojtarët e rinj dhe me perspektivë. Kështu bëhet gjithnjë gërshetimi, edhe në kohën kur unë isha futbollist. Muçi është një lojtar shumë i mirë, por momenti nuk është i volitshëm si për të ashtu dhe për mua, për të parë se çfarë mund të bëj me të, ashtu si dhe për disa futbollistët tjerë, të cilët luajnë me moshat e Kombëtares dhe janë me shumë perspektivë. Është momenti i vështirë, pasi nuk kam shumë mundësi për të bërë aventurë, por nuk është se do na sjellë ndonjë problem. Megjithatë, në të ardhmen edhe ai mund të luajë dhe mund të jetë pjesë e grupit, pasi është një lojtar me shumë cilësi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *