Capoj: Oriku arritje historike në futboll, ja projektet tona  

“Synojmë ta nisim nga infrastruktura, moshat por edhe merkato. Do jemi dinjitozë në të Parën”

Moisi Dalipi

Administratori i klubit të “Orikut”, Gëzim Capoj ndihet mirë që skuadra e trevës së tij, pas disa sezoneve në inferiore, me  pjesëmarrje në Kategorinë e Tretë dhe atë të Dytë ka siguruar për herë të parë në histori ngjitjen në Kategorinë e Parë. “Por, nuk do të jetojmë vetëm me entuziazmin e këtij suksesi. Duhet që sezonin e ardhshëm të sigurojmë mbijetesën në Kategorinë e Parë lirshëm dhe pa rrezikuar. Për këtë kemi nisur nga puna që tani, të gjithë bashkë”,-tha fillimisht Capoj, një nga njerëzit që i ka qëndruar shumë afër sportit në Orikum, me mbështetje morale e financiare. Në intervistën e tij, dhënë enkas për “Sport Ekspres”, gëzim Capoj tregon me detaje suksesin e ngjitjes, por edhe projektet e së ardhmes…

 

  • Pas një periudhe plotë gjashtë vjeçare “Oriku” bëhet pjesë e Kategorisë së Parë…

 

Një sukses dhe objektiv i realizuar me shumë përpjekje edhe pse në këto dy sezonet e fundit kemi qenë finalistë në ndeshjet shtesë me skuadrat e Kategorisë së Parë. Të them të drejtën edhe pse me rivalë, me më shumë eksperiencë se ne, jemi përballuar si të barabartë dhe djemtë na kanë bërë krenarë me përfaqësimin e tyre. Por, u desh që ta fitojmë këtë të drejte nga rokada e qëndrimit në këtë kategori e dy skuadrave të klubit “Vllaznia”. Gjithsesi edhe kjo është një zgjidhje e pranueshme që na kënaq të gjithëve. Gjej rastin që të falënderoj skuadrën, trajnerët, tifozët dhe mbështetësit në çdo drejtim të skuadrës sonë për këtë ngjitje në Kategorinë e Parë.

 

  • Çfarë po bëhet më konkretisht këto ditë në klubin tuaj ?

 

Dikush mund të mendoj se ne vazhdojmë të festojmë ngjitjen. Por gabojnë shumë. Dihet që skuadra është me pushime, por drejtuesit, sponsorizuesit dhe trajnerët po punojmë madje në të gjitha drejtimet. Madje, shumë më fortë se një vit më parë sepse Kategoria e Parë ka më shumë punë dhe seriozitet.

–  Të cilat janë …..?

Duke filluar që nga punimet që duhet te kryejmë në tribuna që duan shtim të vendeve të ulura, tapetit të fushës dhe disa meremetimeve në dhomat e zhveshjes. Ndoshta mund të ketë edhe diçka më tepër, por presim inspektimin e federatës për të lënë detyrat për zbatim. Ne kemi siguruar fondet financiare dhe jemi të gatshëm të fillojmë nga puna me synimin që “Oriku” t’i zhvillojë ndeshjet në fushën e tij që nga java e parë e sezonit 2018-2019.

 

  • Meqenëse u prekën financat. Si do të jenë ato për Kategorinë e Parë duke qenë se vështirësitë janë më të mëdha ashtu si dhe kërkesat?

 

Kuptohet më të larta do të jenë shpenzimet financiare. Ne si klub kemi varësi administrative nga Bashkia e Vlorës që na ka mbështetur dhe besojmë se do të kemi një bashkëpunim edhe më frytdhënëse sepse e duam sportin. Tani na është premtuar për rritje të fondeve. Por jo vetëm kaq. Klubi ynë ka mbështetjen edhe të shumë biznesmenëve vendas, të cilët duhet thënë se tani janë shtuar. E thamë qartë financat do jenë të sigurta.

 

  • A do ketë përforcimet nga merkato në skuadër duke qenë se do të ndesheni me skuadra me shumë histori dhe buxhet të lartë?

 

Ne jemi duke plotësuar së pari stafin e trajnerëve, ku përveç Sakajt, Haxhirajt, Ramës dhe Bozhanit, mendojmë që të afrojmë edhe specialistë të tjerë për të kompletuar jo vetëm ekipin e parë, por edhe moshat. Nga merkato mendojmë për katër përforcime cilësore.

 

  • Do të jenë  futbollist nga akademia e Flamurtarit apo… ?!

 

Jo nuk është kusht. Rëndësi ka që të jenë futbollistë të nivelit që do t’iu përgjigjen kërkesave të skuadrës sonë. Ne jemi një klub korrekt me kontratat, ndaj çdo kush që bën zgjidhjen që të na shërbejë do të ndihet mirë.

-Me çfarë synimi vjen skuadra juaj në Kategorinë e Parë?

Kjo pyetje na behet  me shpesh këto ditë. Gjithsesi, ne më parë kemi zhvilluar ndeshje miqësore dhe Apoloninë dhe Bylisin dhe kemi treguar se nuk kemi diferenca të mëdha nga shumë ekipe të kësaj kategorie. Por që jemi realist, Oriku do të synoj të sigurojë lirshëm qëndrimin në Kategorinë e Parë.

 

“Flamurtarit i jemi mirënjohës, na ka hapur dyert”

Gëzim Capoj, tregon ndër të tjera edhe marrëdhëniet me Flamurtarin, madje edhe një “sekret” dhe akordin që kanë gjetur drejtuesit e të dy skuadrave. Në qoftë se punimet nuk mbarojnë në kohën e duhur në stadiumin e Orikumit, disa nga ndeshjet do të luhen në Vlorë…”Marrëdhëniet me klubin e Flamurtarit i kemi shumë të mira dhe korrekte. Skuadra jonë i zhvillon seancat e stërvitjes atje ku i zhvillon edhe Flamurtari. Këto ditë kemi marr premtimin se po ndodhi që punimet në fushën tonë të mos përfundojnë në kohën e duhur, disa nga ndeshjet të sezonit ardhshëm t’i zhvillojmë në stadiumin “Flamurtari”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *