Canka: Jemi në formë, do marrim pikë ndaj Vllaznisë

0

Sulmuesin i Lushnjës vlerëson punën e trajnerit Hysen Dedja dhe beson se skuadra është e gatshme për të mos u kthyer mundur nga transferta me shkodranët 

Arjan Likja

Me një ndeshje kontrolli të zhvilluar paradite, trajneri i Lushnjës, Hysen Dedja, është mjaftuar për stërvitjen e së dielës. Në këtë test trajneri shkodran ka parë edhe formacionin, me të cilin synon të luajë në mesjavë ndaj Vllaznisë në transfertë. Gjatë ndeshje së djeshme ia ka provuar të ndryshojë disa futbollistë, pasi kërkon të jetë sa më i bindur për ata që do të hedhë në fushë nga minuta e parë. Duhet thënë se në këtë ndeshje kontrolli ra në sy impenjimi dhe lëvizshmëria e madhe e futbollistëve, pasi ka konkurrencë për një vend titullari.

MIKEL CANKA – Sulmuesi i verdhejeshilëve, Mikel Canka, ka shfaqur  një freski të admirueshme fizike dhe ka qenë gjithmonë rrezik për portën kundërshtare. Lojtari vlerëson atmosferën pozitive dhe seriozitetin në ekip që pas fitores ndaj Teutës: “Kjo periudhë na ka shërbyer shumë për të rikuperuar gabimet tona dhe për t’u përmirësuar në aspektin fizik. Në një farë mënyre, trajneri na ka bërë një minifazë përgatitore, duke shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit. Të gjithë futbollistët e kanë mirëpritur këtë stërvitje të fortë fizike, pasi e dimë shumë mirë se duhet të jemi sa më të përgatitur në këtë kampionat të gjatë. Duhet të vrapojmë gjatë gjithë 90 minutave, nëse duam të marrim rezultate pozitive. Ka qenë një defekt yni ky, por po përmirësohemi. Kam shumë besim se këtë gjë do ta reflektojmë në fushë dhe do të marrim atë që kërkojmë në çdo ndeshje. Në ndeshjen e sotme (djeshme) të kontrollit u pa qartë lëvizshmëria dhe freskia jonë fizike. Kemi nisur një punë të mirë me trajnerin Dedja, por tani duhet që këtë gjendje ta manifestojmë në ndeshjet zyrtare, duke marrë pikë edhe në ndeshjet jashtë fushe, siç është kjo e radhës me Vllazninë. Në të kundërt, çdo përpjekje jona në stërvitje nuk ka vlerë. Lushnja ka nevojë patjetër të marrë pikë për të dalë sa më shpejt nga zona e ftohtë e fundit të tabelës”, – ka theksuar dje për “Sport Ekspres” titullari i sulmit verdhejeshil, Mikel Canka.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image