Canka: Ia dolëm edhe kundër formulës qesharake, tani dua edhe titullin!

0

Me 13 golat e shënuar gjatë këtij kampionati me fanellën e Lushnjes, Mikel Canka, është shpallur golashënuesi më i mirë i i skuadrës së tij dhe i grupit B. Pa dyshim, ky fakt flet qartë që “bomberi” 30 vjeçar ka qenë faktor determinant në realizimin e objektivit të këtij sezoni futbollistik. Ndonëse nuk shënoi në finalen me Bylisin, Canka ndihet i lumtur që pas 3 sezoneve në Kategorinë e Parë, skuadra e tij, ka arritur t’i bashkohet futbollit elitar. Ja si shprehet Mikel Canka, në intervistën e tij të parë pas triumfit ndaj Bylisit për gazetën “Sport Ekspres”.

– Një kampionat i vështirë, por më në fund ia dolët duke triumfuar ndaj kundërshtarit tuaj direkt Bylisit edhe pse në ndeshjen e fundit…

Pa dyshim, ka qenë një kampionat mjaft i vështirë dhe shumë stresues. Ne e “pushtuam” kreun që mbas javës së dytë, por, formula eksperimentale që u përdor në këtë kampionat, na e vështirësoi pa shkak arritjen e objektivit. Këtu e kam fjalën për mini-fazën e ndeshjeve të pjesës së tretë të sezonit. Diferenca e pikëve u gjysmua për shkak të kësaj formule qesharake dhe aspak realiste. Gjithsesi, ne ia dolëm, duke triumfuar bindshëm mbi çdo kundërshtar, me një stabilitet në rezultatet tona në vazhdimësi.

– Kur bëhet fjalë për kundërshtarë, e keni fjalën për Bylisin, i cili ju ka rivalizuar deri në ndeshjen e fundit?!

Pa dyshim, Bylisi, ishte kundërshtari jonë më i fortë. Por, me atë çka dhamë gjatë kampionatit me paraqitjet tona, treguam se Lushnja bënte diferencën nga çdo rival, ku përjashtim nuk bën as Bylisi. Një tregues i qartë për superioritetin tonë ndaj ballshiotëve, ishin ndeshjet direkt. Në 4 ndeshje ne i morëm Bylisit 8 pikë nga 2 që na morën ballshiotët. Besoj se shifrat “flasin” vetë…!

– Nuk keni shënuar në atë sfidë emocionuese, ndërkohë që keni festuar në ekstazë pas përfundimit të ndeshjes…

Normale që do festoja, pasi, golat për mua ishin objektiv i dorës së dytë përpara objektivit parësor që ishte elita. Kur nuk shënon Canka, mendon Sefa.

– Si e mendoni Lushnjen në finalen e Kategorisë së Parë dhe…Superligë ?!

Mendoj se është ende herët për të folur për këtë gjë. Ne, duam edhe titullin kampion dhe jemi në pritje për të mësuar kundërshtarin. Pastaj, janë të tjerë njerëz ata që do të projektojnë dhe do të ideojnë Lushnjen e elitës. Nëse do të kisha unë diçka në dorë, do mundohesha të ruaja këtë grup  të mbushur me kualitete duke bërë edhe 3-4 goditje cilësore në merkato.

– Pra, dashje pa dashje, ju nxorët që do jeni pjesë e Lushnjes në sezonin tjetër?!

Dëshira ime ka qenë gjithmonë që mos të largohem nga Lushnja gjatë gjithë karrierës time. Kjo, jo vetëm kur Lushnja ka qenë pjesë e Superligës, por edhe gjatë pjesëmarrjeve në Kategorinë e Parë. Unë do pres mënyrën e organizimit dhe çfarë do na servirin drejtuesit e klubit në sezonin tjetër. Nëse gjithçka do jetë “OK”, Lushnja mbetet opsioni im i parë. Shpresoj që gjërat të jenë serioze dhe ekipi im i zëmrës të bëjë një paraqitje dinjitoze në Superligë.

Intervistoi: Arjan Likja

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image