Çani sërish nga stoli, formacioni i Partizanit nuk ndryshon

Sulmuesi nuk do të jetë titullar. Dalipi nuk do të prekë skuadrën kundër Vllaznisë. Bardhi dhe Progni do të luajnë së bashku

Partizani do të luajë kundër Vllaznisë, ditën e mërkurë, prej orës 14:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, të Shkodrës. Ekipi i “demave” do të udhëtojë me formacionin e tyre më të mirë dhe me dëshirën e madhe për t’u konfirmuar si një forcë e kampionatit dhe pa harruar nevojshmërinë e numrit një të stolit, Klevis Dalipi, për t’u konfirmuar si trajner i parë. Ky i fundit duket se nuk do të ketë të vështirë të lodhet për formacionin titullar, pasi nuk do të ndryshojë asgjë që nga ndeshja e fundit me Luftëtarin, s’ka se si, pasi fitoi pastër 3-0.
Dalipi i qëndron besnik idesë se formacioni titullar nuk preket dhe duhet t’i jepet besim futbollistëve që bënë mirë në sfidën e fundit.

FORMACIONI – Në portë do të jetë nga minuta e parë portieri Alban Hoxha. Mbrojtja do të jetë e rreshtuar me 4 lojtarë. Ibrahimi do të jetë në krah të djathtë, Belica dhe Gojkoviç në qendër dhe Kotobelli në krah të majtë. Në mesfushë do të jenë Mala dhe Batha. Nga krahët do të jetë Asani në të djathtë dhe Trashi në të majtë. Sulmi përbëhet nga Progni dhe Bardhi.

ÇANI – Sulmuesi Edgar Çani u kthye si protagonist në ndeshjen e fundit, pasi me pak minuta kundër Luftëtarit, fitoi penallti. Nuk shënoi, pasi Batha e mori përsipër ekzekutimin e saj. Shtatlarti do të jetë i gatshëm për trajnerin Dalipi në ndeshjen kundër Vllaznisë. Ai është grumbulluar, por nuk do ta nisë nga minuta e parë, pasi ende nuk i përballon 90 minuta të plota loje. Çani do të afrohet gradualisht me skuadrën.

TAKTIKA – Trajneri Klevis Dalipi do të sulmojë Vllazninë në dy anë të fushës. Partizani do të mundohet t’i marrë mesfushën shkodranëve, pasi me Orelesin e skualifikuar, Mala dhe Batha do të mundohen të jenë lider në atë pozicion. “Demat” do të sulmojnë Vllazninë dhe nga krahët e fushës. Asani do të ketë ndihmën e Ibrahimit me detyrë të qartë të çajnë Mersinin, pasi ky i fundit nuk ka treguar një formë të mirë. Nga krahu tjetër Trashi dhe Kotobelli kanë punë. Mesfushori ka për detyrë të çajë në krah, pasi do të ketë dhe mbështetjen e Kotobellit. Dalipi i ka kërkuar Trashit dhe Asanit që të futen dhe në qendër për të provuar portën.
Progni dhe Bardhi kanë më shumë lirshmëri për të luajtur topin. Ata kanë detyrën e vështirë të dërgojnë topin në rrjetë dhe të detyrojnë Sherrin ta nxjerrë nga porta.

Formacioni i mundshëm i Partizanit
Hoxha – Ibrahimi, Gojkoviç, Belica, Kotobelli – Batha, Mala – Asani,  Trashi – Bardhi – Progni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *