Çani nuk paraqitet në stërvitje, krisje me klubin?

Takimi kokë me kokë me Moxhin dhe afati i këtij të fundit kanë acaruar së tepërmi sulmuesin. 28-vjeçari s’reagon mirë, prishja e kontratës vazhdon të përflitet

Sulmuesi Edgar Çani është çështja më e nxehtë te Partizanit prej afrimit të tij në skuadër, pasi fillimisht ishte dëmtimi i shtatlartit që e vuri në qendër të vëmendjes, ndërsa deklarata e drejtorit Luçiano Moxhi ka egërsuar më tepër situatën në kampin e kuq. Italiani i ka lënë vetëm 10 ditë afat sulmuesit për të rinisur përgatitjet dhe të jetë në dispozicion të skuadrës, ndërsa “demat” janë zyrtarisht në merkato për gjetjen e një sulmuesi tjetër, pasi 28-vjeçari dhe Sukaj nuk po arrijnë të jenë në dispozicion të teknikut Juliano.

Reagimi i sulmuesit Çani pas deklaratave të drejtorit Luçiano Moxhi nuk kanë qenë më të mirat, pasi tiranasi nuk e ka pritur aspak mirë vendimin e italianit. “Sport Ekspres” mëson se mes palëve ka pasur edhe një takim kokë me kokë.

TAKIMI – Drejtori i Përgjithshëm, Luçiano Moxhi, ka biseduar privatisht me sulmuesin Edgar Çani. Italiani e ka marrë në vete “yllin” e skuadrës dhe i ka komunikuar vendimin e tij. Ai i ka shprehur Çanit se nëse nuk do të rikuperohet për 10 ditë dhe nuk do të vihet në shërbim të ekipit, atëherë edhe marrëveshja e tij do të rishikohet dhe pozitat në ekip. Kjo do të thotë se lojtari më i paguar te Partizani mund të humbasë nga të ardhurat e tij, por edhe mund të ketë një ndërprerje të marrëveshjes duke e mbyllur këtu aventurën me “demat”.

REAGIMI – Sigurisht që pritej një reagim nga sulmuesi Edgar Çani, por duket se vendimi i Moxhit nuk i ka pëlqyer atij. 28-vjeçari, që koleksion vetëm 2 ndeshje me ekipin e kuq këtë sezon, nuk ka qenë i pranishëm në seancën e djeshme stërvitore. Pavarësisht se nuk është i gatshëm, shtatlarti paraqitej në çdo seancë, pasi e ka me detyrime dhe pjesëmarrjen, por dita e djeshme ishte përjashtim. Kjo sjellje mund të jetë edhe rebelimi i sulmuesit në lidhje me vendimin e klubit, por e sigurt se kjo thyerje rregullash nuk do t’i pëlqejë drejtuesve. Moxhi e ka treguar se nuk vendos askënd para rregullores së klubit, shembulli u bë ish-kapiteni Hoxha që dorëzoi edhe shiritin për shkak se theu rregulloren e klubit, mbase shembulli i radhës do të jetë sulmuesi i shumëpërfolur.

KONTRATA – Akoma nuk është asgjë zyrtare, por fjala e Moxhit në kampin e kuq është përkthyer edhe në një prishje marrëveshjeje me Çanin. Sulmuesi është futbollisti më i paguar i të kuqve dhe sigurisht që “sulmet” drejt tij do të jenë më të mëdha, pasi edhe “pesha” e tij në arkat e klubit është më e rëndë. Megjithatë, pavarësisht se nga ana e klubit mund të kërkohet prishja e kontratës, burime pranë lojtarit bëjnë me dije se ai do të jetë me kryeqytetasit të paktën deri në janar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *