Çani, një karrierë nën shenjën e vuajtjeve!

0

Momentet e lumtura të sulmuesit? Me gishtat e dorës… Nga “Adriatico” i Peskarës në kullën e famshme , duke kaluar mes tmerrit në Varshavë, falimentimit të Katanias, krizës së Lidsit

Nga Anton Cicani

“Dua të falënderoj publikisht Edgar Çanin!”… Nëse e thotë një kampion bote me Italinë dhe fitues i dy herë Champions League dhe trofesh të tjerë me Milanin (Xhenaro Gatuzo), atëherë është më shumë se sa një kompliment. Dhe, ashtu sikurse edhe kulla e Pizës mbart krenarinë e saj pikërisht te fakti që është e përkundur, por nuk bie, edhe sulmuesi shqiptar i rritur, shkolluar dhe zhvilluar në Itali, vazhdon të mos heqë dorë nga ëndrrat e tij. Sigurisht, në jetë, sikurse edhe në futboll, vetëm dëshira, shpirti i sakrificës, pasioni dhe shumë faktorë të tjerë, nuk mjaftojnë. Duhet edhe ajo përqindje fati që të jep mundësi të ecësh dhe të gjendesh në një realitet që shumë do ta ëndërronin por që nuk e kanë. Edgar Çani, në këtë pikë, ka qenë padiskutim ndër futbollistët më të pafat të kombëtares…

Thuajse kurrë asnjë gëzim, vetëm vuajtje, rroga të prapambetura, skuadra në krizë rezultatesh dhe disa të falimentuara. E të mendosh që kur në moshën 11-vjeç u largua nga Tirana bashkë me të atin dhe të ëmën, drejt Barit dhe shpresës, ëndrra e tij për futboll ishte ndryshe. Në Pieve të Peruxhias mësoi të luante me top dhe Peskara e dalloi, duke e xhiruar më pas te një ekip satelit për ta mbajtur nën vëzhgim. Pas dy sezonesh në Serinë B me “delfinët”, Palermo vendos të bëjë një investim dhe e afron në Siçili, fillimisht në huazim dhe më pas duke paguar.

Dita e shënuar – 27 prill 2008… Dita që Çani s’do të harrojë kurrë, pasi përkon me debutimin në Serinë A, në sfidën ndaj Atalantës. Por, në Siçili do të jetë vetëm kalimthi. Kartoni i tij është në duart e Palermos, që e xhiron Edgarin ku të mundë: Askoli, Padova, Piaçenca dhe Modena. Në total, katër sezone dhe 15 gola për sulmuesin. Në Palermo do të kthehet vetëm për të përshëndetur, pasi një aventurë e re do të nisë për të.

Varshava… – Dikur ishte një skuadër që pretendonte për të shkuar në Europë, ose dergjet mes kategorisë së tretë… Polonia Varshava duhet të ishte rivali i Legias, por jo vetëm që nuk u bë kështu, por rrezikoi zhdukjen nga harta futbollistike. E megjithatë, kur Edgari udhëtoi drejt Varshavës, te Polonia, u premtua se projekti do të ishte serioz. Por, gjithçka zgjati vetëm një sezon, kur Çani realizoi edhe numrin më të madh të golave në karrierë, plot 14 të tillë. Por, në verë, gjërat shkuan ndryshe dhe ndryshe nga ajo që u premtua, sulmuesi shqiptar nuk u pagua për disa muaj, duke ngritur zërin dhe dërguar në gjyq klubin. Një gjyq i fituar dhe, në fund, pas një sërë peripecish, arratisja drejt Europës, drejt Italisë së tij..

Nga falimenti në faliment – Në Siçili, Çani rikthehet por këtë herë me rivalët e urryer të Palermos, Katania. E megjithatë, gjërat shkojnë keq e më keq, pasi skuadra siciliane, ashtu si kishte bërë Palermo, e huazon te Karpi dhe Bari. Pikërisht në Bari gjen ngrohtësinë e tifozëve, aty ku aventura e tij nisi në Itali, pas atij udhëtimi me anije me të atin. Rikthim te Katania dhe më pas “katapulta” drejt Lids Junajtidit. Në Angli e presin me lule dhe përgëzime, por do të mbahet mend vetëm si një lojtar që erdhi për t’i bërë favor dikujt. Vetëm 4 ndeshje dhe lamtumira nën zë, pasi anglezët nuk paguajnë 600 mijë eurot në fund të sezonit. Katania e mban disa muaj, deri sa vjen falimentimi. Rroga të padhëna. Largohet si i lirë dhe firmos për Pizën në Lega Pro, aty ku me mund dhe sakrifica, por edhe nën urdhrat e Gatuzos, do të kontribojë edhe pse me pak gola te ngjitja në Serinë B. Janë disa muaj ferri dhe frike, teksa falimentimit i Pizës është më pranë. Nuk ndodh thjesht për fat, pasi do të ishte i treti në karrierë në skuadrat ku ka luajtur. Por, rikthimi në Lega Pro është më pranë…

Qipro – i vetmi gëzim i madh i Edgar Çanit me kombëtaren kuqezi është ai i targuar Shqipëri-Qipro 3-1 në “Qemal Stafa”. Debutim me gol në Gjeorgji, nën urdhrat e De Biazit dhe rrjeta ndaj helenëve në sfidën hapëse të eliminatoreve të Botërorit 2014. Gol edhe ndaj Islandës dhe më pas rënia drastike.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image