Canaj: Periudhë e errët për Dinamon, formula e së Parës një dështim!

0

Kategoria e Parë ishte pushim këtë javë, por klubet janë munduar me miqësore të ruajnë ritmin e garës. Gjithsesi problemi është tjetër në këtë nivel të futbollit tonë, pasi realisht mungon gara dhe shumica e klubeve po aktivizojnë të rinjtë.  Sipas trajnerit të njohur, Agim Canaj, kjo ia ul seriozitetin dhe nivelin garës.

Në intervistën e dhënë për SportEkspres.com, skemën aktuale të Kategorisë së Parë ai e quan të dështuar. Në “lupën” e tij kalon edhe Dinamo, ish-skuadra e tij si lojtar dhe trajner. Canaj duket optimist për të ardhmen e bluve, që edhe sezonin e ardhshëm do të jenë të detyruar të garojnë në të Parën.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Si një ish-lojtar dhe trajner i Dinamos, e keni të lehtë të flisni për këtë skuadër që sot garon në Kategorinë e Parë?
– Është një realitet që duhet pranuar, pasi sot Dinamo po kalon një periudhë shumë të errët në historinë e saj. Duke qenë pjesë e Dinamos në një periudhë të artë me shumë tituj e trofe të fituar, jam shumë optimist se gjendja do të ndryshojë për mirë.

Pasi siguroi zonën Play-off, Dinamo duket se më shumë rëndësi po i jep elementëve të rinj?
-Është e natyrshme, që me këtë formulë të veprohet kështu. Sikurse Dinamo, edhe pjesa më e madhe e skuadrave të tjera nuk kanë asnjë motiv në fazën e tretë. Te Dinamo tradicionalisht ka patur elementë të rinj dhe besoj se këta sot do të jenë garanci për ngjitjen në Superiore.

Mediatikisht është mësuar se Dinamo do të shitet dhe këtë verë të ketë të tjerë pronarë, është kjo një erë e re për këtë klub?
-Unë sot po e dëgjoj këtë lajm, por edhe nëse ndodh, ata që do ta blejnë duhet që ta nxjerrin Dinamon nga ky “tunel errësire”. Shpresoj shumë për një ndryshim dhe unë më shumë nisem nga paraqitja e saj këtë sezon të Kategorisë së Parë.

Kategoria e Parë rinis më 30 mars, me ndeshjet e javës së 21-të. Cilat janë sfidat më delikate?
-Në lojë janë vetëm ekstremet e të dyja grupeve, sepse shumë skuadra kanë dalë nga objektivat. Një fitore e Vllaznisë me Besëlidhjen e çon më të sigurt në Superiore, ndërsa Bylisi e Besa vetëm në përballjen mes tyre do të tregojnë cila prej tyre do të ngjitet në elitë.

Nisur nga rezultatet e arritura në dy javët e para të fazës së tretë, mos është një formulë që duhet ndryshuar?
-Unë e përmenda më sipër formulën e Kategorisë së Parë, që  sot duket e dështuar. Asgjë të mirë nuk i ka dhënë futbollit të kësaj kategorie, ku luajnë skuadra me traditë si Vllaznia, Dinamo, Besa, Apolonia, Tomori, Besëlidhja, Burreli e Pogradeci.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.